75 Mall Live Search
07:35 / E Enjte, 13 Nëntor 2025 / MSH

Durkee vazhdon dëshminë në Hagë

Michael Durkee, që shërbeu si këshilltar politik i komandantëve supremë të forcave aleate të NATO-s në Evropë, do të vazhdojë sot dëshminë në Speciale, si dëshmitar i mbrojtjes.

Ish-këshilltari politik i gjeneralit Clark, dje gjatë dëshmisë në Hagë, u pyet për takimin që ka thënë se e ka shoqëruar shefin e tij me Hashim Thaçin. Atij iu shfaq edhe një dokument si provë nga mbrojtja.

Në dokument si pjesë e delegacionit shiheshin emrat e Hashim Thaçit, Ramë Bujës, Jakup Krasniqit, Xhavit Halitit, Azem Sylës, Blerim Shalës, Edita Tahirit, Mehmet Hajrizit, Fehmi Aganit e Gjergj Dedajt.

“Personat që i kam takuar personalisht kanë qenë Thaçi dhe Krasniqi, emrat tjerë janë thjesht të dëgjuar dhe jo të takuar”, tha ai gjatë dëshmisë së tij.

“Ju thoni se qëllimi i takimit ishte që pjesërisht Clark dëshironte të kuptonte më mirë synimet politike të UÇK-së dhe kapacitetet ushtarake në rast se do të urdhërohej dhe do të kryhej një operacion ushtarak. Pse ishte e rëndësishme të kuptoheshin synimet politike të UÇK-së në këtë kohë?”, pyeti mbrojtja dëshmitarin.

Ai tha se çdo komandant ushtarak që mendon për misionin është e rëndësishme për të ditur cili është mjedisi në terren.