Kate nis organizimin për Krishtlindje, i ftuar një yll nga Hollivudi
Princesha e Uellsit, Kate Middleton, ka njoftuar se do të organizojë për të pestin vit radhazi koncertin tradicional “Together at Christmas” në Westminster Abbey, më 5 dhjetor. Ngjarja, tashmë e kthyer në një traditë të dashur festive, këtë vit do të ketë si temë “dashurinë në të gjitha format e saj”.
Kensington Palace bëri të ditur se në koncert do të marrin pjesë edhe emra të njohur të artit, përfshirë aktoren fituese të “Oscar”-it, Kate Winslet, aktoren Hannah Waddingham, këngëtarin Dan Smith dhe aktorin Chiwetel Ejiofor. Winslet do të jetë pjesë e këtij eventi pas emërimit të saj si ambasadore e “The King’s Foundation”, një nga bamirësitë e Mbretit Charles.
Shërbesa do të ndërthurë elemente tradicionale dhe moderne, me këngë korale dhe lexime nga të ftuarit, duke sjellë në qendër historitë e personave që përhapin dashuri dhe lidhje njerëzore në komunitetet e tyre. Këtë vit, koncerti do të nderojë edhe dukeshën e ndjerë të Kentit, me performanca nga të rinj të talentuar të fondacionit “Future Talent”.
Dekorimet do të jenë të frymëzuara nga natyra, pasion personal i princeshës Kate, e cila ka rrëfyer se ajo e ndihmoi gjatë trajtimit të saj kundër kancerit. Koncerti do të transmetohet në ITV, më 24 dhe 25 dhjetor dhe do të shoqërohet nga 15 shërbesa të tjera komunitare në mbarë Mbretërinë e Bashkuar.

