75 Mall Live Search
12:04 / E Enjte, 13 Nëntor 2025 / F.R

Përmes protestës kërkojnë pagat, punëtorët e RTK-së të hënën futen në grevë

Për të tretën  herë punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) kanë dalë në protestë, për të kërkuar që të ekzekutohen pagat e tyre, raporton Ekonomia Online. Gëzim Bimbashi nga Sindikata e Punëtorëve i ka bërë thirrje kryeministrit në detyrë Albin Kurti që të veprojë ngjashëm siç kishte bërë në gusht të këtij viti dhe t’i ekzekutojë pagat.

Ndërkaq ata në protestën e sotme njoftuan se nga e hëna do të hyjnë në grevë, e ku iu bëri thirrje të gjithë punëtorëve që nga ora 11:00  deri në ora 12:00 të mos punojnë asgjë.

“Gjendja në RTK është përkeqësuar ndërsa institucionet po vazhdojnë të heshtin. Mbi 700 familje të punonjësve të RTK po përballen me problem për mbijetesë. Presione nga bankat, detyrime për të paguar, ankth i përditshëm për të ardhmen. Kjo nuk është krizë ekonomike, është krizë e identitetit. Dua ta them qartë se kjo situatë mund të zgjidhet menjëherë pa asnjë vonesë me një vendim të kryeministrit në detyrë, zotit Albin Kurti. Të gjitha justifikimet e tjera për komisione apo procedura të tjera janë beteja mes partish. Mos i fusni punëtorët e RTK-së në beteja politike. Ne nuk jemi pjesë e asnjë partie. Jemi punëtorë që kërkojmë atë që na takon me ligj. Kemi dëgjuar deklarata por asnjë veprim konkret. Prandaj, i bëjmë thirrje publike kryeministrit në detyrë Kurti që të veprojë ashtu sikurse herën e kaluar dhe të mundësojë zgjidhjen e menjëhershme të situatës. Është e papranueshme që punëtorët nuk kanë marrë as njoftim nga menaxhmenti. Domethënë nuk kemi marrë njoftim që s’ke me pasë paga. RTK është pronë publike dhe e qytetarëve, e jo e partive politike. Ne do ta mbrojmë me dinjitet, unitet dhe vendosmëri. Greva do të fillojë nga e hëna në të gjithë RTK-në. Grave do të fillojë nga ora 11:00 e deri në ora 12:00. Kërkojmë që nga kjo orë të mos punohet asgjë”, tha ai.