75 Mall Live Search
15:13 / E Premte, 14 Nëntor 2025 / A

Vdekja e çiftit shqiptar në Francë/ familja zbulon telefonatën e fundit me të vëllanë: Ishte i stresuar…

Paola Janaqi, motra e 36-vjeçarit shqiptar që u gjet i vdekur në banesë bashkë me gruan e tij, ka dhënë një prononcim për Top Channel, ku ka bërë thirrje që trupi i vëllait të saj të sillet në Shqipëri.

Ajo zbuloi detaje nga ngjarja tragjike, duke thënë se më vëllanë kishte folur një ditë para ngjarjes, dhe se i kishte thënë që kishte dalë xhiro pasi ishte i stresuar.

Më tej tha për gazetaren e TCH, Dhorjela Çule se e kishte telefonuar më vonë, por nuk i ishte përgjigjur thirrjeve.

“Unë dua që vëllanë ta sjellin këtu, se nuk kemi kushte, se mamaja nuk ka me një rrogë lan borxhet, s’ka ç’bën vetë. Dua vetëm vëllanë ta sjellin këtu, nuk duam gjë tjetër.

Me vëllain folëm dje, më tha që mirë jam po dal një xhiro se jam shumë i stresuar. Kishte si ankth, trembje, kaq më tha. Flasim më vonë më tha dhe nuk më telefonoi. I telefonova 2-3 herë nuk ma hapi më. Sot e morra vesh, më erdhën më thanë vdiq vëllai të bëheni të fortë, kaq më thanë mua. Nuk dinim që kishte konflikte, sa herë që flisnim thoshte mirë jemi, ti mos ki merak, kaq folëm dhe nuk më mori më në telefon. Kanë dy fëmijë. Thonë që fëmijët do t’i marri shteti, ne duam që fëmijët ti marrim këtu, i duam një ne dhe një nga gjyshja tjetër. I kemi plagë në zemër fëmijët. Fëmijët janë 9 vjeç dhe 3 vjeç. Nuk kemi folur dhe nuk duam të flasim me familjarët e nuses”, u shpreh ajo.

Andon Janaqi (36 vjeç) dhe Anjeza Zeneli (30 vjeçe), çifti shqiptar me origjinë nga Korça të cilët u gjetën pa shenja jete brenda banesës së tyre në Francë.