75 Mall Live Search
15:17 / E Premte, 14 Nëntor 2025 / S Z

Krasniqi thirrje për protestë në Strasburg më 16 nëntor: Të ngrihet zëri për drejtësi dhe dinjitet

Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi, ka bërë thirrje për pjesëmarrje në protestën paqësore që do të mbahet më 16 nëntor në Strasburg.

Përmes një postimi në Facebook, ai tha se aty ku ka nisur procesi që sipas tij ka rënduar padrejtësisht mbi emrin dhe sakrificën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të ngrihet zëri i shqiptarëve për drejtësi dhe dinjitet.

Krasniqi ftoi qytetarët, miqtë e Kosovës dhe mërgatën që t’i bashkohen kësaj thirrjeje për “të vërtetën, respektimin e historisë dhe lirinë e çlirimtarëve”.

“Të dielën, të gjitha rrugët çojnë në Strasburg. Aty ku nisi procesi që ka rënduar padrejtësisht mbi emrin dhe sakrificën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, aty do të ngrihet zëri i shqiptarëve për drejtësi dhe dinjitet. Më 16 nëntor, protestat paqësore për të vërtetën dhe respektimin e historisë sonë vazhdojnë, me qytetari, me qetësi dhe me besim në drejtësinë që meriton populli ynë. Ftojmë të gjithë qytetarët, miqtë e Kosovës dhe mërgatën tonë kudo që është, të bashkohen në këtë thirrje të përbashkët për drejtësi dhe për lirinë e çlirimtarëve tanë”, ka shkruar ai.