75 Mall Live Search
21:38 / E Premte, 14 Nëntor 2025 / MSH

Hoxhaj: Kadri Veseli ka insistuar që unë ta udhëheqë PDK-në në vitin 2021

Enver Hoxhaj, nga Partia Demokratike e Kosovës, ka thënë se në vitin 2021, kur kishte marrë drejtimin e kësaj partie, atë e kishte rekomanduar Kadri Veseli, i cili ishte kryetar në atë kohë, por më pas u arrestua nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale në Hagë.

Në emisionin “Rubikon” të Klan Kosovës, ai ka deklaruar se pranimi i drejtimit të PDK-së në atë kohë ishte një amanet moral i Veselit për të.

“2021-ta ka qenë një situatë krejt tjetër politike. Atë vit unë kam marrë udhëheqjen e Partisë Demokratike të Kosovës, kur askush tjetër nuk e ka marrë. Ka qenë insistim i zotëri Kadri Veselit që unë ta udhëheq PDK-në, ka qenë një farë amaneti moral i tij në atë kohë, si dikush që nga viti 1997 e njeh Kadri Veselin dhe Hashim Thaçin, i cili i ka pasur edhe shokë të studimeve në Prishtinë, Austri dhe Zvicër”.

“Në një natë dramatike, kur ne e kuptuam se Hashimi, Kadriu, Jakupi dhe Rexha mund të arrestoheshin, nuk kishte një atmosferë për të diskutuar se si do të dukeshin vendimmarrjet e PDK-së. Në atë kohë, unë në fakt e kam mbrojtur, e kam ruajtur dhe e kam unifikuar PDK-në, në një kohë të një tronditjeje historike që i ka ndodhur PDK-së dhe Kosovës, e cila si tronditje historike u reflektua edhe në votën elektorale”, tha Hoxhaj.