75 Mall Live Search
23:09 / E Premte, 14 Nëntor 2025 / MSH

General Motors heq dorë nga pjesët me origjinë kineze

General Motors kërkon nga furnitorët të heqin dorë plotësisht nga përdorimi i komponentëve që vijnë nga Kina, raporton agjencia Reuters, duke iu referuar katër burimeve.

Ky kërkesë erdhi në mes të pakënaqësisë në rritje midis prodhuesve të automjeteve për shkak të ndërprerjeve në prodhim të shkaktuara nga konfliktet tregtare mes vendeve.

Sipas burimeve, drejtuesit e GM-së u kanë “rekomanduar fuqishëm” furnitorëve që të gjejnë alternativa ndaj Kinës për furnizimin me lëndë të para dhe komponentë. Gjithashtu, prodhuesi amerikan i automjeteve u ka vendosur disa furnitorëve afatin deri në vitin 2027, deri kur ata duhet të ndërpresin çdo lidhje me Kinën.

GM u drejtua furnitorëve në fund të vitit 2024, por iniciativa mori rëndësi të veçantë këtë vit, në ditët e para të përshkallëzimit të luftës tregtare midis SHBA-së dhe Kinës. Drejtuesit e GM-së theksojnë se kjo është pjesë e një strategjie më të gjerë për të rritur “qëndrueshmërinë” e zinxhirit të furnizimit të kompanisë.

Tensionet gjeopolitike midis SHBA-së dhe Kinës kanë futur drejtuesit e industrisë automobilistike në një fazë rishikimi të thellë për gjithë vitin 2025.

Vendosja dhe heqja e vazhdueshme e tarifave nga presidenti amerikan, Donald Trump, si dhe shqetësimet për mungesën e metaleve të rralla dhe të çipave, i kanë detyruar prodhuesit e makinave të rishqyrtojnë lidhjet e tyre me Kinën – e cila prej kohësh ka qenë një burim kryesor komponentësh dhe materialesh.

Sipas burimeve, GM preferon të blejë pjesë të prodhuara në Amerikën e Veriut, ku kompania prodhon shumicën e automjeteve të saj. Megjithatë, ajo mbetet e hapur për furnizime nga rajone dhe vende të tjera, me përjashtim të Kinës, Rusisë dhe Venezuelës.