Pse banorët ndryshojnë pas daljes nga Big Brother? Psikologia zbulon detaje
Psikologia Antigona Qenaj Sejdiu ka komentuar ndikimin psikologjik që sjell qëndrimi i gjatë në ambiente të mbyllura dhe nën vëzhgim të vazhdueshëm, siç ndodh në formatet televizive me izolim, këtë rast në “Big Brother”.
Për Indeksonline ajo tha se 100 ditë në një hapësirë të kufizuar transformojnë mënyrën se si një person ndjen, reagon dhe ndërvepron.
Sejdiu thekson se mungesa e privatësisë dhe kontrolli i vazhdueshëm rrisin nivelin e stresit psikologjik, duke e bërë të vështirë rregullimin emocional.
“Qëndrimi 100 ditë në një hapësirë të mbyllur, nën vëzhgim të vazhdueshëm dhe me mungesë privatësie, krijon një nivel të lartë stresi psikologjik. Tensionet emocionale rriten, reagimet bëhen më impulsive dhe çdo konflikt merr përmasa më të mëdha. Mjedisi i kufizuar e bën të pamundur shmangien, ndaj ndjenjat intensifikohen dhe rregullimi emocional bëhet më i vështirë”, tha ajo.
Ajo shton se izolimi i gjatë krijon një “mikrobotë”, ku konkurrentët fillojnë të perceptojnë realitetin ndryshe.
“Izolimi afatgjatë ndryshon mënyrën si konkurrentët e perceptojnë realitetin dhe marrëdhëniet. Duke qenë të shkëputur nga bota e jashtme, ata fillojnë të funksionojnë brenda një “mikrobote” ku emocionet amplifikohen dhe normat sociale zhvendosen. Në këtë situatë, lidhjet ndërtohen shpejt, konfliktet përjetohen më fort dhe sjelljet shpesh reflektojnë presionin e ambientit, jo personalitetin e tyre në jetën reale”, thotë Sejdiu.
Sipas saj, sfidat nuk përfundojnë me daljen nga programi. “Pas përfundimit të formatit, shumë persona përjetojnë konfuzion, zbrazëti emocionale dhe vështirësi në rikthimin në jetën e përditshme. Përballja me komentet publike dhe ndryshimet e ritmit kërkon kohë dhe, shpesh, ndihmë profesionale.”
“Mungesa e kontaktit me familjen dhe njerëzit e afërt i privon konkurrentët nga burimet e zakonshme të mbështetjes emocionale. Pa praninë e figurave që zakonisht i qetësojnë ose i stabilizojnë, ata bëhen më të ndjeshëm, më të lëkundshëm emocionalisht dhe më të ekspozuar ndaj stresit. Kjo çon në rritje të irritimit, nostalgjisë dhe shpesh në projeksion të emocioneve tek banorët tjerë.
Pas daljes nga formati, shumë pjesëmarrës përjetojnë një fazë tranzicioni ku ndihen të zbrazët, të hutuar ose emocionalisht të lodhur. Kalimi nga një mjedis me ritëm të lartë emocional, vëmendje publike dhe rutinë të kontrolluar, në jetën e zakonshme, nuk është i menjëhershëm. Disa kanë vështirësi të rikthehen në dinamikën e përditshme, përballen me komentet e publikut dhe përjetojnë pasiguri rreth imazhit të tyre. Mbështetja psikologjike në këtë periudhë është shumë e dobishme”, përfundoi ajo./Indeksonline/

