Dita “D” e Kuvendit/ LVV-ja stoike në qëndrimet e saj për koalicion
Në Kuvendin e Republikës së Kosovës nesër do të zhvillohen dy seanca të rëndësishme që formësojnë fatin e qeverisë së vendit.
Nga mbledhja e deputetëve dhe votimi i tyre do të mund të kemi “Qeverinë Konjufca”, ose procesi i zvarritur deri më tani për formim të qeverisë do t’i hapë rrugë zgjedhjeve të reja qendrore, shkruan IndeksOnline.
Nga partia që ofroi dy mandatarë për formim të qeverisë, Lëvizja Vetëvendosje, thonë se rëndom si herat e tjera, edhe kësaj radhe janë të palëkundur në qendrimin e tyre për mos-bërje koalicionesh.
Zëdhënësi i kësaj partie, Arlind Manxhuka, ka deklaruar për IndeksOnline se, pavarësisht thashethemeve të nxitura ditët e fundit, LVV-ja nuk bën koalicon me Partinë Demokratike të Kosovës.
“Sa i përket koalicioneve dhe bashkëpunimeve, tashmë LVV e ka bërë të qartë pozicionin e saj. Nuk ka koalicion me PDK-në. Në anën tjetër, pas mosvotimit të qeverisë me mandatar Albin Kurtin, LVV-ja, me qëllim që të shmangë sfidat që na presin përpara si buxheti i vendit, buxheti për RTK-në, buxheti për disa komuna, pakoja e zgjerimit të BE-së dhe evitimi i dy palë zgjedhjeve, propozoi edhe mandatarin e dytë, Glauk Konjufcën”, thotë Manxhuka.
Duke u mbështetur në deklarimin e ofrimit të zgjidhjes, të bërë nga kjo parti tash e sa kohë, Manxhuka vlerëson se deputetët kanë mundësinë të votojnë “pro” formimit të qeverisë, e të shmangin sfidat që mund të rëndojnë gjendjen e shtetit.
“Po seancë do të ketë. Kësisoj, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë mundësinë reale që t’i shmangin këto çështje që e presin vendin tonë përpara. Nëse nuk do të ketë racionalitet karshi këtyre sfidave, atëherë zgjedhjet mbeten opsioni i vetëm” deklaroi ai.
Kujtojmë se nga zgjedhjet e 9 shkurtit e deri më tani, vendi është përballur me një sërë bllokadash, sidomos me atë të votimit të kryetarit të Kuvendit.
Mandatari i propozuar nga partia më e madhe e dalur nga zgjedhjet, Albin Kurti, nuk mori votat e mjaftueshme për të udhëhequr qeverinë, teksa partitë opozitare nuk shprehen interesim për të ofruar një mandatar që do të merrte përsipër formimin e një qeverie.
Kësisoj, Lëvizja Vetëvendosje do të tentojë edhe një herë të krijojë një kabinet qeveritar në krye me Glauk Konjufcën, i cili në këtë tentativë është pajtuar të ndërrojë rolet me Albin Kurtin./IndeksOnline/

