75 Mall Live Search
19:50 / E Enjte, 20 Nëntor 2025 / Z S

Masa ndaj zv.kryeministres Balluku, SPAK del me njoftim zyrtar

Struktura e Posaçme Anti Korrupsion ka dalë me një njoftim zyrtar pasi Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit vendosi masën e sigurisë pezullim nga detyra, dhe ndalimin e daljes jashtë vendit për zv/kryeministren, njëkohësisht dhe ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku dhe arrest shtëpie për dy zyrtarët Gentian Gjyli dhe Erald Elezi.

SPAK bën me dije se Balluku në cilësinë e ministres ka orientuar zhvillimin e tenderëve në mënyrë të kundërligjshme për tunelin e Llogarasë dhe Lotin e Katërt të Unazës së Madhe deri në momentin e lidhjes së kontratës me operatorin ekonomik fitues.

Për këtë arsye SPAK i ka kërkuar GJKKO të vendosë masa sigurie për Belinda Ballukun dhe zyrtarët Gentian Gjyli dhe Erald Elezi për shkelje të barazisë në tenderë, raporton A2CNN.

 “E pandehura Belinda Balluku, në bashkëpunim me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, të pandehurit; Evis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, kanë paracaktuar fituesin e kësaj procedure prokurimi për Tunelin e Llogarasë, kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomikë fitues “I….dhe A…..”. 

Në kohën e kryerjes së veprimeve për këtë procedurë prokurimi, të pandehurit kanë pasur detyrat funksionale; Evis Berberi, Drejtor i Përgjithëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Erald Elezi, Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në Autoritetin Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli, Drejtor i Drejtorisë së Ndërtimit dhe i Mirëmbajtjes në Autoritetin Rrugor Shqiptar, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, Specialistë të Nivelit të Lartë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Sa i takon procedurës së prokurimit me objekt, “Ndërtimi i  Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”, Balluku në bashkëpunim me të pandehurin Evis Berberi, anëtarët e Njësisë së Prokurimit, shtetasit J.Ç, A.K., D.Xh, anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Erald Elezi dhe shtetasit K.K, M.Sh., kanë paracaktuar fituesin e kësaj procedure prokurimi, krijuar avantazhe bashkimin e operatorëve ekonomikë,“E…” sh.p.k, “P…”sh.p.k, dhe “N…”sh.p.k”, shkruhet në njoftimin e SPAK.