Kredia e IFC-së jo për mbijetesë, por për shndërrimin e Prishtina Mall në qendër rajonale të standardeve të larta
Prishtina Mall ka bërë një nga lëvizjet më të fuqishme financiare në historinë e sektorit privat në Kosovë. Nënshkrimi i marrëveshjes për kredi prej 75 milionë eurosh me International Finance Corporation (IFC), pjesë e Grupit të Bankës Botërore, nuk është një reagim i dëshpëruar ndaj vështirësive, por një investim i qëllimshëm për ta shndërruar këtë qendër në një pol rajonal të tregtisë moderne, teknologjisë dhe standardeve të avancuara.
Narrativa se kjo kredi është “oksigjen për mbijetesë” bie përballë një fakti të thjeshtë: IFC financon vetëm projekte që kanë potencial të qartë zhvillimi, strukturë të qëndrueshme dhe vizion afatgjatë. Vendimi për të investuar në Prishtina Mall është një votë e fortë besimi ndërkombëtar për këtë projekt dhe për kapacitetin e tij për të udhëhequr tregun rajonal.
Kjo marrëveshje nuk është vetëm një transaksion financiar, por një sinjal i qartë se Prishtina Mall po hyn në një fazë të re zhvillimi strategjik. Fondet do të përdoren për investime që e rrisin ndjeshëm vlerën, funksionalitetin dhe konkurrueshmërinë e qendrës, duke përfshirë:
- instalimin e sistemeve moderne të energjisë diellore dhe rritjen drastike të efikasitetit energjetik,
- modernizimin e infrastrukturës dhe transformimin teknologjik,
- krijimin e kushteve për ardhjen e brendeve të reja elitare ndërkombëtare,
- rritjen e cilësisë së përvojës së vizitorëve dhe standardeve të shërbimit.
Po, një pjesë e fondeve do të përdoret edhe për rifinancim, por kjo nuk është shenjë dobësie, përkundrazi, është instrument profesional i menaxhimit financiar që forcon strukturën, redukton kostot dhe krijon hapësirë për rritje të kontrolluar dhe të qëndrueshme.
Prishtina Mall, me mbi 200 njësi biznesi, dhjetëra brende prestigjioze dhe një sipërfaqe prej 115 mijë metrash katrorë, tashmë është destinacioni kryesor i tregtisë, argëtimit dhe shërbimit në Kosovë. Me këtë kredi, synimi është i qartë, kalimi nga qendër e madhe tregtare në një platformë rajonale me standarde të nivelit evropian.
Ky është një projekt me kapital 100 për qind vendor, i mbështetur nga 14 aksionarë kosovarë, që po dëshmon se biznesi vendas jo vetëm që mund të ndërtojë projekte gjigante, por edhe t’i zhvillojë ato me profesionalizëm, vizion dhe ambicie afatgjate.
Mesazhi është i prerë dhe i qartë: Prishtina Mall nuk po shpëtohet, po fuqizohet. Nuk po mbijeton, po pozicionohet. Nuk po reagon ndaj krizës, po ndërton të ardhmen.
Kjo kredi është investim në zhvillim, inovacion dhe qëndrueshmëri dhe dëshmi se Prishtina Mall po konsolidohet si qendër rajonale e standardeve të larta dhe simbol i modernizimit ekonomik të Kosovës.

