75 Mall Live Search
23:40 / E Diele, 23 Nëntor 2025 / F.R

Dëshmitë kyçe të mbrojtjes vulosin fazën finale të procesit ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Procesi gjyqësor ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së po i afrohet fundit, pas një kohë të gjatë dëshmish. Betejës ligjore mes prokurorisë dhe mbrojtjes po i vjen fundi. Institutet e drejtësisë në Kosovë vlerësojnë se dëshmitarët e mbrojtjes me pozita të larta ushtarake dhe diplomatike kanë dhënë dëshmi të pamohueshme që konfirmojnë se UÇK-ja ishte një ushtri vullnetare me hierarki horizontale, duke ofruar prova kredibile periudhës së luftës.

Procesi më i madh gjyqësor në Speciale ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së po i afrohet fundit, duke mbyllur një maratonë të gjatë dëshmish dhe betejën ligjore mes prokurorisë dhe mbrojtjes. Numri i limituar i dëshmitarëve të mbrojtjes, por me pozicione të larta ushtarake dhe diplomatike që përfaqësojnë shtetin amerikan, kanë dhënë dëshmi me peshë.

Fondi për të Drejtat Humanitare vlerëson se dëshmitë kanë konfirmuar mbrojtjen, se Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte një hierarki horizontale.

“Prezenca e tyre dhe kontaktet e dëshmitarëve direkt me presidentin Thaçi dhe aktorë të tjerë të UÇK-së, njohuritë e tyre dhe informacionet që këta dëshmitarë kanë ndarë me trupin gjykues, do të kenë një peshë të veçantë. Në fund, trupi gjykues do të vlerësojë të gjitha deklaratat, qoftë të prokurorisë, qoftë të mbrojtjes”, tha për RTK-në Amer Alija, nga FDHK.

Derisa ky proces vlerësohet si një betejë ligjore mes prokurorisë dhe mbrojtjes lidhur me këto dy forma të përgjegjësisë, asaj komanduese dhe ndërmarrjes së përbashkët kriminale, njohës të drejtësisë thonë se dëshmitarët e mbrojtjes kanë dhënë dëshmi të pamohueshme për faktin se UÇK-ja ishte një ushtri vullnetare.

“Dëshmitarët e mbrojtjes kanë dhënë dëshmi të pamohueshme për faktin se UÇK-ja ishte një ushtri vullnetare, krijuar nga populli dhe pa një hierarki të qartë. Secili prej tyre ka treguar për rolin e Hashim Thaçit gjatë periudhës së akuzës”, pohoi Blendina Veliqi, IKD.

Ekspertët presin që aktgjykimi të shpallet në pranverë ose në fillim të verës, ndërsa faktorë vendimtarë do të jenë sjellja e dëshmitarëve dhe koherenca e rrëfimeve të tyre.