Vrasja e Liridona Ademajt / Vazhdon seanca ndaj tre të akuzuarve nën masa të rrepta sigurie (Video)
Të tre të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt, Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, janë futur tashmë në sallën e gjyqit, nën masa të rrepta sigurie, ku po vazhdon seanca gjyqësore në prag të dyvjetorit të këtij krimi të rëndë.

Me fillim nga ora 09:30, në Pallatin e Drejtësisë po mbahet shqyrtimi gjyqësor për rastin që tronditi opinionin publik. Seanca po zhvillohet vetëm pak ditë para 29 nëntorit, ditës kur mbushen dy vjet nga vrasja e Liridonës.

Për vijimin e procesit ka reaguar edhe vëllai i saj, Leonard Ademaj, i cili ka përshkruar javën e gjyqit si tepër të vështirë për familjen.
Ai ka thënë se dhimbja për humbjen e Liridonës është e papërshkrueshme dhe se vetëm drejtësia e shpejtë, profesionale dhe e pa gabime mund t’u lehtësojë sadopak vuajtjen që po e përjetojnë fëmijët e saj dhe familjarët.

Në këtë proces gjyqësor, deri tani kanë dëshmuar dëshmitarë okularë, mjeku që ka kryer autopsinë, Naim Uka, eksperti Bujar Obertinca, ish-drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Shpend Haxhibeqiri, si dhe dëshmitarë të tjerë.

