75 Mall Live Search
18:08 / E Hënë, 24 Nëntor 2025 / B XH

KPK mohon deklaratat për kërcënime: Takimi për shkarkimin e U.D. të kryeprokurorit ishte i hapur dhe pa presione

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka reaguar ndaj deklarimeve të disa anëtarëve të tij, të cilët javën e kaluar pretenduan se kishin kërkuar mbrojtje nga institucionet e sigurisë, duke u shprehur se kishin qenë objekt kërcënimesh gjatë zhvillimeve të fundit.

Në reagimin zyrtar, KPK i cilëson këto pretendime si “tërësisht të pavërteta dhe të pabazuara”.

“KPK deklaron se janë tërësisht të pavërteta dhe të pabazuara deklarimet e disa anëtarëve të Këshillit se kinse kanë qenë subjekt i ‘kërcënimeve’ gjatë zhvillimeve të fundit në institucion. Asnjë fakt, provë apo element objektiv nuk është paraqitur për të mbështetur pretendime të tilla”, thuhet në njoftim.

Institucioni thekson se, nëse ekziston dyshim i bazuar për ndonjë kërcënim, ai duhet raportuar tek organet kompetente, e jo të krijohen perceptime të rreme në opinion.

KPK sqaron se mbledhja ku u diskutua shkarkimi i Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit është zhvilluar në mënyrë të hapur dhe transparente.

“Takimi i KPK-së ka qenë plotësisht i hapur dhe transparent dhe është zhvilluar në prani të publikut dhe mediave. Katër anëtarë të Këshillit, përfshirë U.D. të Kryeprokurorit të Shtetit, kanë zgjedhur ta braktisin takimin me vullnetin e tyre, pa pasur asnjë kërcënim apo presion”, thuhet në reagim.

KPK thekson se secili anëtar gëzon pavarësi funksionale dhe imunitet në ushtrimin e detyrave, ndaj deklaratat për presione i konsideron “të papranueshme dhe të pambështetura”.

Këshilli njofton se së shpejti do të thërrasë një takim të jashtëzakonshëm për të trajtuar situatën e krijuar.

“KPK garanton publikun se do të mbetet i përkushtuar në përmbushjen e mandatit të tij kushtetues dhe ligjor, pavarësisht sfidave dhe përpjekjeve të kujtdo për ta penguar këtë proces”.

Reagimi i KPK-së vjen pas një jave tensionesh të brendshme dhe polemikash lidhur me procedurat për shkarkimin e U.D. të kryeprokurorit të shtetit.