Rasti i “Safari Snajperët e Sarajevës”, Vuçiq përballet me kallëzim penal
Avokati serb dhe aktivisti për të drejtat e njeriut, Cedomir Stojkoviq, ka dorëzuar sot një kallëzim penal në Prokurorinë për Krimin e Organizuar në Beograd, duke kërkuar hetime për krime kundër njerëzimit të lidhura me të ashtuquajturin “Safari Snajper i Sarajevës”, një praktikë e rrethit të luftës në Bosnje, ku të huaj dyshohet se paguanin për të shtënë me snajper ndaj civilëve gjatë rrethimit të kryeqytetit boshnjak.
Kallëzimi penal është drejtuar kundër një personi të paidentifikuar (NN) dhe kundër presidentit aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Sipas Stojkoviqit, Vuçiç dyshohet se ka qenë vullnetar në formacionin e armatosur të drejtuar nga Slavko Aleksiç, njësia e së cilës kontrollonte territorin prej nga ku pretendohen se janë kryer aktet kriminale. Ai pohon se një aktivitet i tillë – organizimi i të huajve për të marrë pjesë në gjuajtje snajperësh për përfitime monetare – nuk do të kishte qenë i mundur pa dijeninë dhe mbështetjen e strukturave paraushtarake që dominonin zonën.
Stojkoviq ka shkruar në rrjetin social X, se, edhe nëse Vuçiç nuk ka marrë pjesë drejtpërdrejt në këto akte, ai duhej të kishte qenë në dijeni të organizimit, duke pasur parasysh lidhjet e tij të asaj kohe me Partinë Radikale Serbe, ku shërbeu si sekretar i përgjithshëm për 15 vjet. Ai përmendi gjithashtu rolin e strukturave të partisë në mobilizimin e vullnetarëve paraushtarakë nga Serbia, nxitjen e urrejtjes ndëretnike dhe lidhjet logjistike mes Beogradit dhe Sarajevës gjatë viteve të luftës.
Në deklaratën e tij, Stojkoviq përmendi edhe faktorë të tjerë që ngrenë dyshime për përfshirjen e rrjetit radikal në organizimin e “Safari Snajperëve”, përfshirë financimet e dyshimta të asaj periudhe dhe dënimin e Vojislav Šešelj nga Tribunali i Hagës për nxitje të krimeve kundër njerëzimit.
Ai kërkoi që Prokuroria për Krime Lufte në Beograd të hapë një hetim të thelluar, veçanërisht duke bashkëpunuar me prokurorinë në Milano, e cila tashmë ka nisur veprimet në lidhje me këtë rast.

