Arrestimi i ish-ushtarit të UÇK-së në Serbi, MPJD tregon çfarë hapa ka ndërmarrë
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka konfirmuar arrestimin e shtetasit të Kosovës, Avni Qenaj, nga autoritetet e Serbisë.
Kjo ministri njofton se menjëherë pas marrjes së informacionit mbi arrestimin e shtetasit të Kosovës Avni Qenaj, nga autoritetet e Serbisë, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi ka ndërmarrë veprimet e para duke i adresuar Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, kërkesë zyrtare për konfirmimin e arrestimit, arsyet konkrete të ndalimit, vendndodhjen aktuale ku ai po mbahet, si dhe çdo informacion tjetër të domosdoshëm për trajtimin e mëtejmë të rastit.
“Paralelisht, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi e ka njoftuar për rastin edhe Delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi, duke kërkuar monitorim të shtuar dhe transparencë të plotë nga autoritetet serbe në lidhje me procedurat e ndërmarra.
Gjithashtu është dërguar tashmë notë verbale te misionet diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Serbi, me qëllim sigurimin e angazhimit të partnerëve ndërkombëtarë në mbrojtje të të drejtave dhe sigurisë së shtetasit të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim, raporon IndeksOnline.
Aty thuhet se Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi do të procedojë me paraqitjen e kërkesës zyrtare për lejimin e vizitës të personit të arrestuar, sapo të konfirmohet lokacioni i saktë ku ai po mbahet.
MPJD rithekson angazhimin e saj të plotë dhe të pandërprerë për ndriçimin e të gjitha rrethanave të rastit dhe siguron se opinioni publik do të informohet me kohë dhe në mënyrë të vazhdueshme për të gjitha zhvillimet.
Kjo ministri i bën thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare që të rrisë vigjilencën dhe presionin ndaj autoriteteve të Serbisë, e cila vazhdon praktikën e keqtrajtimit dhe intimidimit të shtetasve të Republikës së Kosovës, duke cenuar kështu normat dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. /IndeksOnline/

