75 Mall Live Search
19:15 / E Martë, 25 Nëntor 2025 / BA

Koleksioni i orëve me vlerë 200 mijë euro, ish-presidenti i Malit të Zi akuzohet për mosdeklarim pasurish

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit konstatoi se ish-presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, nuk ka deklaruar një pjesë të pasurisë së tij të luajtshme, koleksionin e orëve të dorës që zotëron, me vlerë rreth 200.000 eurosh.

Siç thuhet në raport, Agjencia ka analizuar fotografi të publikuara nga disa media malazeze, të bëra gjatë paraqitjeve të ndryshme publike të Gjukanoviçit ndër vite, teksa ai ushtronte funksionin e presidentit ose kryeministrit të Malit të Zi.

Fotografitë përfshinin edhe orë dore nga shtatë marka, secila nga to, sipas ekspertëve të provave digjitale, vlerësohet se kushtojë mes 8.000 dhe 59.000 euro.

“Agjencia, në procedurën e provave, ka konstatuar se fotografitë ku paraqitet ish-funksionari publik Millo Gjukanoviç me këto orë në dorë janë autentike dhe se ato nuk janë deklaruar në asnjërin nga raportet e cekura mbi të ardhurat dhe pasurinë si pronë sa i përket pasurisë së luajtshme”, thuhet në arsyetim.

Në përgjigjen e vitit 2021, Gjukanoviç ka deklaruar se pretendimet për “orë me vlerë marramendëse janë sensacionalizëm dashakeq”.

Ai ka theksuar gjithashtu se një pjesë të orëve nuk i ka pasur kurrë në pronësi, ndërsa orën “Brequet Tourbilion” e zotëron “që nga vitet ’90 si dhuratë nga një person i afërt, para se të merrja funksion publik”.

Agjencia në vendimin e saj ka deklaruar se nuk e pranoi arsyetimin e Gjukanoviçit.

“Agjencia nuk ka pranuar pretendimin e pakonfirmuar se njëra nga orët është dhuratë nga një periudhë e mëhershme, pasi kjo nuk është mbështetur me asnjë provë, dhe sipas ekspertëve të provave digjitale, një model i tillë i orës nuk ekziston”.

Millo Gjukanoviç ka ushtruar funksionet më të larta shtetërore në Mal të Zi që nga fillimi i viteve ’90.

Partia e tij ka udhëhequr të gjitha qeveritë deri në vitin 2020, kur humbi pushtetin ndaj një koalicioni të përbërë nga Fronti Demokratik pro-rus, Demokratët dhe Lëvizja Ura.

Gjukanoviç e përfundoi mandatin e tij presidencial në vitin 2023, kur u mund nga presidenti aktual, Jakov Millatoviç.

Gjukanoviç mund të nisë procedurë administrative kundër vendimit të Agjencisë brenda 20 ditësh./ REL