Kurti: Dhuna në familje nuk është problem privat, është krim
Në nisjen e fushatës “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se dhuna në familje nuk është problem privat, por është krim, është cenim i sigurisë publike, cenim i demokracisë dhe të drejtave.
Kurti shtoi se krahas ligjit, duhet guximi shoqëror për të raportuar e për t’i thënë mjaft dhunës.
“Sonte jemi këtu për ta shënuar fillimin e 16 ditëve të aktivizimit, por edhe për ta vazhduar mbajtjen e premtimit të përditshëm, premtimin se në Republikën e Kosovës, asnjëra, askush nuk do të jetë vetëm, përballë dhunës. Secila grua që ndien frikë gjatë natës, secili fëmijë që ndien britma në vend të qetësisë, është alarm për ne, dhe ky alarm nuk pret. Shteti ka detyrim të mbrojë, të garantojë siguri e qetësi, sikurse shoqëria ka detyrim të mos heshtë. Ne nuk mund të ndërtojmë të ardhmen mbi traumat që nuk janë shëruar, as mbi një kulturë që e relativizon dhunën”, tha kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Sipas kreut në detyrë të qeverisë, lufta kundër dhunës me bazë gjinore, nuk është vetëm çështje e grave. “Para së gjithash e mbi të gjitha duhet të emancipojmë burrat, djemtë e ri. Është çështje e mbarë shoqërisë, e Republikës, e së bashku mund, duhet e do ta ndërtojmë një Republikë ku drejtësia triumfon e pabarazia bie”, deklaroi Kurti.

