75 Mall Live Search
20:44 / E Mërkurë, 26 Nëntor 2025 / Z S

Opozita në Serbi kërkon htim dhe ndëshkim për Vuçiqin

Opozita në Serbi vazhdon të kërkojë përgjegjësi politike dhe penale për funksionarët e lartë të shtetit.

Fushata “Rruga për në burg, drejtësi për Serbinë” ngarkon me akuza presidentin Vuçiq dhe të vëllanë e tij për shkatërrim të institucioneve tash e një dekadë.

Opozita tashmë ka filluar të nxjerrë në pah edhe dokumente që e lidhin Vuçiqin me kokat e krimit, duke kërkuar nga organet kompetente të nisin procedura për përgjegjësi, raporton RTK.

Thellimi i tensioneve politike në Serbi, pas muajve të tërë protestash antiqeveritare, ka kaluar në një rrafsh tjetër. Partitë opozitare kanë nisur një ofansivë të re kundër qeverisë së Vuçiqit, duke e akuzuar atë për shkatërrim të institucioneve tash e një dekadë.

Fushata “Rruga për në burg, drejtësi për Serbinë” ka nxjerrë në pah një sërë akuzash kundër Vuçiqit dhe vëllait të tij, Andrej.

Deputetja Marinika Tepiq ka kërkuar nga institucionet kompetente nisjen e procedurave për përgjegjësi politike dhe penale të funksionarëve më të lartë.

“Vuçiq paraqitet formalisht si president, por në fakt vepron si shef i krahut politik të një grupi të organizuar kriminal. Kjo aktakuzë synon të çmontojë sistemin e korrupsionit, krimit dhe frikës me të cilin është kapur shteti”, the Tepiq.

Tepiq ka paraqitur dokumentin ku radhiten aferat pas të cilave, sipas saj, qëndron pushteti i Vuçiqit prej vitesh — nga rrëzimi i strehës te stacioni hekurudhor në Novi Sad, te lidhjet me Zvonko Veselinoviqin dhe Milan Radoiçiqin, e deri te keqpërdorimet zgjedhore.

Ndonëse presidenti Vuçiq ende nuk ka reaguar, kryetarja e Kuvendit, Ana Brnabiq, i hodhi poshtë akuzat, duke i quajtur përpjekje për “ndalimin e veprimtarisë politike të presidentit”.

“Aq shumë marrëzi, gënjeshtra e thashetheme u thanë, sa që as vetë ajo nuk arriti të kuptojë çfarë dëshiron të thotë”, tha Ana Brnabiq, kryetare e Kuvendit të Serbisë.

Ndërkohë, opozita mbetet këmbëngulëse në kërkesën për hetime ndaj Vuçiqit dhe ndalimin e partisë së tij. Akuzat e fundit lidhen me kërkesat që kanë nxitur protestat antiqeveritare, të cilat po vazhdojnë prej më shumë se një viti.

Duke marrë shkas nga tragjedia në Novi Sad, protestave iu janë bashkuar studentë dhe shumë qytetarë, të cilët me këmbëngulje kërkojnë hetime institucionale, shkarkimin e përgjegjësve dhe shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare./Indeksonline/