75 Mall Live Search
11:42 / E Enjte, 27 Nëntor 2025 / F.R

Protesta e transportuesve vazhdon në ditën e katërt – presin vendimin e Komunës

Punëtorët e “Trafikut Urban” dhe operatorëve privatë janë mbledhur sot për ditën e katërt radhazi të protestës para objektit të Komunës së Prishtinës, ku po kërkojnë pagesat e tyre të vonuara.

Protesta pritet të zgjasë deri pas seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal.

Përfaqësuesi i punëtorëve, Ilmi Gashi, shprehu shpresën se në këtë mbledhje do të gjendet një zgjidhje që do t’i mundësojë punëtorëve marrjen e pagave.

Ai ka theksuar se nëse nuk ka zgjidhje, greva do të vazhdojë deri në alokimin e mjeteve ndaj operatorëve.

Që nga e hëna, kryeqyteti ka mbetur pa qarkullim të autobusëve publikë, pasi punëtorët kanë ndalur punën për shkak të mungesës së pagave dhe karburanteve.

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Prishtinës është paralajmëruar të fillojë nga ora 15:00.

Kjo seancë vjen pas bllokimit prej disa ditësh të transportit publik, i cili është ndalur si pasojë e grevës së punëtorëve të “Trafikut Urban” dhe operatorëve privatë që veprojnë në kryeqytet, për shkak të problemeve financiare të komunës.

Punëtorët kërkojnë një zgjidhje të shpejtë për pagesat e tyre, ndërsa Komuna dhe Qeveria po ia hedhin përgjegjësinë njëra-tjetrës për alokimin e mjeteve të kryeqytetit.