Seanca në Komunë për buxhetin, Rama: Asnjë kalkulim politik, fondet veç për funksionalizimin e ndërmarrjeve
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendin Komunal të Prishtinës për mjetet vetanake dhe buxhetin 2026, tha se aty janë mbledhur për vendime të mëdha që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.
Rama tha se në situatën e ndjeshme financiare e institucionale në të cilën ndodhen, fondet që po i shqyrtojnë sot do të jenë në shfrytëzim për funksionalizimin e ndërmarrjeve publike për mbrojtjen e vendeve të punës, për pagat e punëtorëve dhe për shërbimet bazike të kryeqytetit, raporton Gazeta Express.
“Para nesh janë dy vendime thelbësore për funksionimin normal të kryeqytetit. Kemi bartjen e mjeteve nga viti paraprak me vlerë prej 28 milionë eurove dhe votimin e buxhetit për vitin 2026. Në këtë situatë të ndjeshme financiare dhe institucionale, prioritet absolut janë qytetarët e kryeqytetit. Asnjë kalkulim politik nuk guxon të vihet mbi nevojat e tyre. Fondet që po i trajtojmë sot do të shfrytëzohen menjëherë për funksionalizimin e ndërmarrjeve publike për mbrojtjen e vendeve të punës, për pagat e punëtorëve dhe për shërbimet bazike të kryeqytetit”, tha Rama.
Ai sërish përcolli thirrjen për ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, që të miratojë mjetet për buxhetin e Prishtinës.
“Kërkoj publikisht që po ashtu edhe fondet prej 35 milionë eurove ku 25 janë të hyra vetanake dhe 10 milionë janë grant qeveritar të cilat u takon qytetarëve me ligj që nuk kërkojnë procedura në asamble, por vetëm vullnet për miratim nga ana e ministrit në detyrë, pra edhe ato të bëhen të mundshme për t’u shfrytëzuar nga kryeqyteti dhe mos të zvarriten më tej”
Rama u zotua se do të jetë i pranishëm “në çdo veprim që garanton pagat e punëtorëve, funksionimin e ndërmarrjeve publike dhe shërbimet për çdo qytetar të kryeqytetit. Këtu nuk mbrojmë interesat partiake, këtu mbrojmë interesin e kryeqytetit dhe qytetarëve”.

