Cila është e vërteta rreth afateve për fondet e huaja për Kosovën?
Në një seancë të jashtëzakonshme parlamentare, të mbajtur më 19 nëntor, pjesëtarë të Qeverisë në detyrë të Kosovës e ndezën alarmin se Kosova rrezikonte t’i humbte mbi 200 milionë euro, nëse disa marrëveshje ndërkombëtare nuk do të ratifikoheshin atë ditë, apo deri në fund vitit 2025.
Por, a është vërtet situata ashtu?
Me Kosovën para udhëkryqit, mes formimit të një Qeverie të re pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit apo shkuarjes në zgjedhje të parakohshme, Qeveria në detyrë ishte shumë e zëshme në Kuvend, dhe tha se 19 nëntori ishte dita vendimtare për të mos i humbur fondet ndërkombëtare për vendin, në vlerë prej 200 milionë eurosh.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, folën se si disa fonde rrezikoheshin e disa mund t’iu shpërndaheshin në të ardhmen shteteve tjera.
Marrëveshjet ndërkombëtare miratohen me të paktën 80 vota për, ndërsa partia e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), i pati 48 sosh në Kuvendin tashmë të shpërbërë. Partitë tjera të mëdha shqiptare nuk u pajtuan për t’i miratuar marrëveshjet, me arsyetimin e LVV-ja ishte zvarritësja e proceseve gjatë gjithë vitit.
Deputetja Mimoza Kusari Lila, nga grupi parlamentar i LVV-së, tha se një pjesë e fondeve të Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian (BE) për Kosovën humbin në dhjetor të vitit 2025:
“Janë pa kthim, nuk mund të kthehen, edhe nëse zgjedhjet mbahen më 21 dhjetor, më 28 dhjetor, edhe nëse zgjedhjet mbahen në pranverë, këto mjete humben”.
Plani i Rritjes dhe afatet e tij
Plani i Rritjes është një paketë financimi e BE-së për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën – me qëllim të përafrimit të këtyre ekonomive me standardet evropiane.
Nga pakoja, 2 miliardë euro janë fonde të pakthyeshme, ndërsa 4 miliardët tjerë jepen në formën e kredive të volitshme. Kosovës i kanë rënë hise rreth 900 milionë euro – që do të thotë se për kokë banori është përfituesja më e madhe e këtyre mjeteve.
Secili vend e ka përgatitur agjendën reformuese bazuar në rekomandimet paraprake të trupave të BE-së, ndërsa reformat në fushën e rendit dhe të sundimit të ligjit kanë qenë thelbësore për të përfituar mjete nga ky Plan.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian i ka thënë Radios Evropa e Lirë (REL) se Kosova, e cila ka qenë ndër vendet e para që e ka miratuar agjendën e reformave, nuk mund të bëjë kërkesë për pagesë pa i ratifikuar marrëveshjet:
“Plani për Reformë dhe Rritje është instrument me kohë të kufizuar, i miratuar për periudhën 2024-2027 dhe është në interes të Kosovës që ratifikimi të ndodhë sa më shpejt që është e mundur për t’i shfrytëzuar të gjitha mundësitë sipas Planit, në të mirë të popullsisë së saj”.
Por, bazuar në analizimin e dokumenteve publike dhe në disa burime të REL-it, pas hyrjes në fuqi të marrëveshjeve përkatëse, shpërndarja e fondeve iu nënshtrohet disa kushteve për pagesë, dhe nëse një hap nuk përmbushet në kohë, vendet përfituese kanë mundësi ta zënë hapin brenda një periudhe shtesë.
Kjo periudhë shtesë është dyvjeçare, për hapat që do të duhej të bëheshin në dhjetor të vitit 2024, dhe një vit për të gjithë hapat që do të duhej të ndërmerreshin prej qershorit 2025.
Kësisoj, i bie që Kosova përballet me rrezik real të humbjes së një pjese të fondeve në qershorin e 2026-tës. Këtë afat e ka përmendur edhe komisionarja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos.
Sfida e së ardhmes
Augustin Palokaj, gazetar që përcjell politikat e BE-së, thotë për REL-in se fakti që kanë kaluar tashmë dy vjet prej hyrjes në fuqi të Planit, e vështirëson procesin e zbatimit të reformave.
“Tashmë po kalon edhe viti 2025, që do të thotë se për një periudhë dyvjeçare duhet të shpenzohen mjetet e dedikuara për periudhën katërvjeçare. Ato nuk mund të shpenzohen ashtu si do të kishte dëshirë dikush, por duhet të shkojnë përmes procedurave shumë-shumë të sofistikuara, të cilat do t’i mbikëqyrë edhe Komisioni Evropian. Kështu që rreziku për Kosovën është shumë serioz”.
BE-ja nuk ka treguar nëse fondet që eventualisht mund të humbin do t’i shpërndahen ndonjë vendi tjetër.
Po fondet e Bankës Botërore?
Përveç fondeve të BE-së, edhe më të rrezikuara duket se janë mbi 90 milionë eurot e Bankës Botërore.
Kurti ka thënë se ato janë ndarë si mbështetje buxhetore në kuadër programit të reformave, dhe si shpërblim norma e interesit është paraparë të jetë 0 për qind për 12 vjet.
“Nëse nuk ratifikohet në këtë seancë [të 19 nëntorit], dhe shteti shkon në zgjedhje, atëherë këto mjete, pra 90 milionë euro, për të cilat ne si Qeveri kemi punuar e jemi angazhuar shumë, do të humbin, sepse ka shumë shtete tjera që e presin me krahë të hapur një financim të këtillë”.
Zyra e Bankës Botërore në Kosovë ka pohuar për median lokale, Koha, se afati i fundit për hyrjen në fuqi të marrëveshjes që parasheh financimin e politikave zhvillimore, konkurrueshmërisë dhe rritjes së gjelbër, është 13 shkurti i vitit 2026.
A do të mbërrihen afatet?
Në një kohë kur Kosova përballet me vështirësi ekonomike dhe ngecje në ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, më 28 dhjetor ajo do ta mbajë procesin e katërt zgjedhor për këtë vit, me kosto prej miliona eurosh.
Më vonë nis puna për funksionalizimin e një Kuvendi dhe të një Qeverie të re.
Se sa efikase do të jetë legjislatura e ardhshme për t’i mos humbur fondet e huaja, tani për tani është vetëm çështje basti.
REL-i ka kërkuar të mësojë më shumë, por deri në publikimin e këtij teksti nuk e ka marrë një përgjigje nga Banka Botërore.//Indeksonline/

