Abdixhiku uron Ditën e Flamurit: Sot kujtojmë me krenari lindjen e një kombi të lirë e të pavarur
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për nder të ditës së Flamurit dhe 113 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ka uruar 28 Nëntorin.
Ai shkroi se sot kujtojmë me krenari lindjen e një kombi të lirë e të pavarur, siç u shpreh, të mbështetur mbi vlera e ideale që na bashkojnë.
“Gjithë shqiptarëve kudo që janë urime 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit, ditën historike, që u fitua me shumë sakrificë nga patriotët, burrat e gratë, që kishin ideal të përbashkët, aspiratën e kahershme për liri e pavarësi. Sot kujtojmë me krenari lindjen e një kombi të lirë e të pavarur, të mbështetur mbi vlera e ideale që na bashkojnë. Shqipëria u bë realitet falë vendosmërisë dhe guximit të një brezi vizionar, që sfidoi çdo pengesë për të shpallur pavarësinë dhe për të ndërtuar një shoqëri mbi liri, dinjitet e demokraci”, shkroi ai.
Abdixhiku përmes një postimi në Facebook tha se mesazhi i Ditës së Flamurit mbetet i qartë, “ta kujtojmë me krenari të shkuarën, t’i nderojmë të rënët dhe të punojmë me përkushtim për të ardhmen e shqiptarëve kudo që janë”.
“Kjo datë lidhet me figurat më të ndritura të historisë sonë kombëtare: Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Ismail Qemali dhe patriotët që shpallën pavarësinë; Presidenti historik Ibrahim Rugova, ideatori i shtetit të Kosovës; komandanti legjendar Adem Jashari, shembulli i sakrificës dhe mbrojtjes së atdheut. Sot nderojmë me respekt të thellë dëshmorët, heronjtë dhe luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pa veprën e tyre, sot nuk do të gëzonim lirinë që kemi. Shqipëria, pas më shumë se një shekulli pavarësi, është bërë faktor paqeje e stabiliteti në rajon. Mesazhi i Ditës së Flamurit mbetet i qartë: ta kujtojmë me krenari të shkuarën, t’i nderojmë të rënët dhe të punojmë me përkushtim për të ardhmen e shqiptarëve kudo që janë”, u shpreh kreu i LDK-së.

