75 Mall Live Search
18:00 / E Premte, 28 Nëntor 2025 / Z S

Kosovë – Shqipëri, top 10 produktet e eksportuara dhe importuara

Bashkëpunimi ekonomik e tregtar mes Kosovës dhe Shqipërisë përkundër trendëve inkurajuese, ende nuk ka marrëdhënie ekonomike të kënaqshme mes këtyre dy vendeve. Me gjithë vullnetin dhe gatishmërinë e afaristëve për një bashkëpunim më të fortë në ekonomi, marrëdhëniet në mes këtyre dy shteteve mbeten ende simbolike apo karakterizohen vetëm nga shkëmbimet tregtare import – eksport, raporton KosovaPress.

Megjithatë, pavarësisht rritjes së lehtë eksporteve kosovare me Shqipërinë, bilanci tregtar përgjatë gjithë periudhës 2022–2025 mbetet dukshëm negativ me importet shqiptare që vijojnë të dominojnë strukturën e shkëmbimeve.

Sipas Doganës së Kosovës, për vitin 2025, eksportet e vendit tonë në Shqipëri, nga janari deri më 26 nëntor të këtij viti arrijnë vlerën rreth 143 milionë euro, përderisa në këtë periudhë importet nga ky shtet janë 259 milionë euro.

Nga Dogana kanë thënë për KosovaPress se në vitin 2022, eksportet kosovare drejt Shqipërisë ishin rreth 102 milionë euro, duke shënuar rritje të moderuar në 115 milionë euro gjatë vitit 2023.

Megjithatë, viti 2024 solli një kërcim, eksportet u rritën në afro 248 milionë euro, më shumë se dyfishi i vitit të parë të periudhës së analizuar.

Ndërsa, importet e mallrave nga Shqipëria në vitin 2022 ato arritën rreth 255 milionë euro, duke u rritur ndjeshëm në 326 milionë euro gjatë vitit 2023, për të arritur kulmin në 337 milionë euro në vitin 2024.

Në vitin 2025, importet e deritanishme llogariten në afërsisht 259 milionë euro – një nivel i lartë, duke pasur parasysh se të dhënat nuk përfshijnë muajin e dhjetorit.

TOP 10 produktet më të eksportuara nga Kosova drejt Shqipërisë

KosovaPress ka siguruar listën nga Dogana e Kosovës për llojin e mallrave më të eksportuara në Shqipëri. Lista udhëhiqet nga lëndët djegëse minerale dhe derivatet energjetike, të cilat kapin vlerën e mbi 153 milionë eurove gjatë periudhës katër vjeçare të fundit. Pasojnë sektori i pijeve dhe alkoolit 87.5 milionë euro, si dhe metalurgjia (giza, çeliku, alumini dhe plastikë), duke dëshmuar rritje të kapaciteteve industriale të Kosovës dhe zgjerim të industrive me vlerë të shtuar.

Produktet si mobiliet, makineritë, kafshët e gjalla dhe vajrat bimore/animalë plotësojnë listën, duke reflektuar një diversifikim më të gjerë të portofolit të eksporteve kosovare.

TOP 10 produktet më të importuara nga Shqipëria në Kosovë

Në kahun tjetër, Kosova importon kryesisht produkte strategjike dhe të konsumit masiv. Në krye të listës qëndron giza dhe çeliku, me vlerë mbi 328 milionë euro, pasuar nga lëndët djegëse minerale 261 milionë euro. Këto produkte janë jetike për sektorët e ndërtimit, energjisë dhe infrastrukturës.

Një komponent i rëndësishëm i importeve shqiptare janë edhe produktet bujqësore – zarzavatet 51.7 milionë euro dhe frutat 40.1 milionë euro që demonstrojnë rolin e Shqipërisë si furnizues kryesor i tregut kosovar me produkte të freskëta agro-ushqimore.

Mallra si kripëra kimike, ekstrakte organike, alumin, letër dhe karton përmbyllin listën, duke reflektuar baza të forta të industrive përpunuese dhe agrar-industriale shqiptare.

Ndryshe, Kosova po vazhdon të thellojë varësinë e saj nga mallrat e importuara të përgjithshme me rajonin, Evropën dhe Botën, duke e çuar deficitin tregtar në një nivel të lartë shqetësues. Shteti ynë ka importuar mallra në vlerë mbi 5 miliardë euro, vetëm nga muaj janar deri në fund të shtatorit të këtij viti. Vlera e importit në Kosovë është rritur me rreth gjysmë miliardi euro në periudhën janar-shtator të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, raporton KosovaPress.

Krahas importit në vlerë 5 miliardë e 66 milionë euro, gjatë nëntëmujorit të vitit 2025, sasia e mallrave të importuara është rritur për rreth 350 milionë kilogramë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Ani se sasia e përgjithshme e mallrave për këtë periudhë mbetët më e ulët se vlera e tyre. /Indeksonline/