75 Mall Live Search
20:19 / E Premte, 28 Nëntor 2025 / F.R

Siria u bën thirrje OKB-së dhe vendeve arabe të veprojnë kundër sulmeve të Izraelit

Ministri i Jashtëm i Sirisë, Assad al-Shaibani bëri thirrje që OKB-ja dhe vendet arabe dhe islame të ndërmarrin veprime kundër sulmeve të përsëritura të Izraelit në territorin e vendit të tij, duke dënuar sulmin izraelit në fshatin Beit Jinn pranë Damaskut si një sulm të qëllimshëm ndaj civilëve.

Al-Shaibani kritikoi sulmin izraelit ndaj Beit Jinn-it, duke thënë se “sulmi qëllimisht kishte në shënjestër civilët e pafajshëm”.

Ai paralajmëroi se vazhdimi i një agresioni të tillë kërcënon paqen dhe sigurinë rajonale, shkruan Anadolu, transmeton Dukagjini.

“Sulmet e vazhdueshme kërkojnë përgjigje të fortë ndërkombëtare. Heshtja nga bashkësia ndërkombëtare vetëm sa e inkurajon agresorin të kryejë krime të mëtejshme kundër civilëve”, tha Al-Shaibani.

Ai u bën thirrje OKB-së, Këshillit të Sigurimit dhe të gjitha vendeve arabe dhe islame të “marrin përgjegjësitë e tyre” dhe të përballen me sulmet e përsëritura izraelite.

Të paktën 13 persona u vranë, përfshirë gra dhe fëmijë dhe 24 të tjerë u plagosën sot herët në sulmin e Izraelit ndaj Beit Jinn-it dhe rrugës që çonte në të dhe në zonat rurale përreth kryeqytetit Damask, njoftuan mediat zyrtare siriane.

Ushtria izraelite në një deklaratë tha se gjashtë ushtarë izraelitë u plagosën, përfshirë tre në gjendje kritike, gjatë sulmit. Ushtria pretendon se ka ndaluar anëtarë të “Jaama Islamiya”, duke pretenduar se ata “vepruan në zonën e Beit Jinn-it në Sirinë jugore dhe përparuan në sulme kundër civilëve izraelitë”.

Ushtria izraelite kreu 47 bastisje në Sirinë jugore gjatë nëntorit. Të dhënat qeveritare tregojnë se që nga dhjetori 2024, Izraeli ka kryer mbi 1.000 sulme ajrore në Siri dhe më shumë se 400 bastisje ndërkufitare në provincat jugore.

Pas rënies së regjimit të Bashar al-Assadit në fund të vitit 2024, Izraeli zgjeroi pushtimin e Lartësive të Golanit në Siri duke kapur zonën e demilitarizuar tampon, një veprim që shkeli marrëveshjen e vitit 1974 me Sirinë.