75 Mall Live Search
08:57 / E Hënë, 01 Dhjetor 2025 / Z S

FIFA teston rregullin 2-minutësh, ja çfarë nënkupton ai

FIFA ka prezantuar një rregull të ri që synon të ndalë humbjen e kohës gjatë ndeshjeve të futbollit.

Sipas presidentit të Komisionit të Gjyqtarëve, Pierluigi Collina, çdo lojtar që kërkon trajtim mjekësor gjatë lojës do të detyrohet të largohet nga fusha për dy minuta.

Collina sqaroi se ky rregull vlen në të gjitha rastet, përveç kur lojtari që shkakton faullin ndëshkohet me karton të verdhë ose karton të kuq. Portierët, ndërkohë, mbeten të përjashtuar nga ky rregull për shkak të rolit të tyre specifik në lojë.

Qëllimi i FIFA-s është të dekurajojë simulimet dhe lëndimet e kota, duke detyruar skuadrat të luajnë për dy minuta me një lojtar më pak nëse lojtari i dëmtuar kërkon trajtim. Në këtë mënyrë pritet të rritet koha reale e lojës dhe të ulen vonesat artificiale.

Rregulli i ri do të testohet për herë të parë në Kupën Arabe 2025, që zhvillohet nga 1 deri më 18 dhjetor në Katar. Nëse vlerësohet i suksesshëm, mund të zbatohet edhe në garat më të mëdha, përfshirë Kupën e Botës.