KQZ: Mbi 24 mijë aplikime nga diaspora, shumica për votim me postë
24 mijë e 500 aplikime për regjistrim si votues jashtë vendit ka pranuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nga 26 nëntori kur ka nisur të rrjedhë ky afat e deri të dielën e 30 nëntorit.
Këtë e ka bërë të ditur për RTKlive, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi që tregoi se nga kjo shifër, janë aprovuar 14, 600, ndërkaq janë refuzuar 3, 500, ndërsa thotë se në vlerësim e sipër janë rreth 6,400 aplikime.
Ai ka sqaruar se shumica e aplikuesve që janë aprovuar, janë regjistruar për të votuar përmes postës.
“Nga numri i përgjithshëm i aplikuesve të aprovuar, pjesa më e madhe janë regjistruar për të votuar përmes postës, mbi 10,500 prej tyre për të dërguar pakon me fletëvotim në ndonjërën nga adresat e kutive postare jashtë Kosovës dhe mbi 500 të tjerë për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë. Ndërkaq, mbi 3,500 shtetas janë regjistruar për të votuar fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike”, ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së.
Elezi tha se procesi i regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës, nuk është përjashtues. Kjo do të thotë, sipas tij, se KQZ i informon rregullisht dhe personalisht aplikuesit e refuzuar për arsyet e refuzimit të kërkesës së tyre dhe se do të mund të ri-aplikojnë përmes platformës për regjistrim duke bashkëngjitur dokumentet e nevojshme për të përmbushur kërkesën e tyre në përputhje me udhëzimet e KQZ-së. “Kjo do të mundësohet gjatë kohës sa zgjatë periudha e regjistrimit”, sqaroi ai.
Elezi ka folur edhe për vendimin e një ditë më parë që ka marrë Paneli Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa që e ka ndryshuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të 26 nëntorit sa i përket Qendrave të Votimit jashtë Kosovës, duke vendosur që në zgjedhjet e 28 dhjetorit mund të votohet vetëm në Përfaqësitë Diplomatike të Republikës së Kosovës dhe jo në hapësira shtesë, sipas propozimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Ai tha se KQZ-ja është në pritje të plotfuqishmërisë së vendimit, meqë shtoi se ndaj vendimit të PZAP-së lejohet edhe ankesë në Gjykatën Supreme.
“PZAP ka marrë vendim për çështjen të Qendrave të Votimit në hapësira shtesë – jashtë përfaqësive diplomatike dhe ndaj këtij vendimi lejohet ushtrimi i ankesës në Gjykatën Supreme. Si çdoherë, KQZ pret plotfuqishmërinë e vendimit, cilado qoftë, për ta zbatuar atë”, tha për RTKlive zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

