Kelmendi e Çelaj deklarohen të pafajshëm për lëndim trupor ndaj Latifit
Të akuzuarit Besart Kelmendi dhe Behar Çelaj nuk e kanë pranuar fajësinë për veprën penale “lëndim i rëndë trupor” ndaj Arbnor Latifit, në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e cila është përcjellë me tensione.
Të dy të pandehurit u deklaruan të pafajshëm pas leximit të aktakuzës nga Prokuroria.
Seanca e sotme, e cila është zhvilluar nën një atmosferë të ngarkuar, u karakterizua nga kundërshtime mes mbrojtjes, prokurorisë dhe palës së dëmtuar, ndërsa gjykata vendosi të mos e shtyjë procedurën, duke e vazhduar shqyrtimin fillestar pavarësisht kërkesës së avokatit të të pandehurit.
Mbrojtësi i të pandehurit Besart Kelmendi, avokati Granit Vokshi, tha para gjykatës se ka marrë autorizimin për përfaqësim vetëm në ditën e sotme dhe se nuk ka pasur kohë të shqyrtojë shkresat e lëndës apo të konsultohet me klientin e tij.
“Kam marrë sot nga prindi i Besartit, avokati paraprak Besim Hameyaj. Marr parasysh faktin që nuk kam pasur mundësi që të konsultohem me të mbrojturin tim rreth rrethanave të rastit dhe pasojave ligjore rreth deklarimit të tij lidhur me fajësinë në seancën e sotme, kërkoj mirëkuptim nga gjykata që këtë seancë ta shtyjë për disa ditë, deri sa të kem mundësinë ta vizitoj të pandehurin në paraburgim ku është aktualisht, të kem mundësinë që të diskutoj me të, që të më jepet mundësia për ta mbrojtur”, tha ai.
Prokurori i çështjes, Kastriot Berisha, kundërshtoi kërkesën e mbrojtjes.
“E kundërshtoj propozimin e mbrojtësit për shtyrjen e kësaj seance për faktin se të pandehurit ndodhen në masën e paraburgimit dhe se mbrojtësi ka pasur kohë që të takohet me të pandehurit. Dhe konsideroj që një kërkesë e tillë është me qëllim të zvarritjes së kësaj procedure dhe konsideroj që të njejtëve t’u japim kohë që të konsultohen meqenëse është seancë fillestare. Dhe mbrojtja i ka pranuar shkresat gati”, tha ai.
Edhe avokati i të dëmtuarit Arbnor Latifi, Asdren Hoxha, e mbështeti qëndrimin e prokurorisë.
“I mbështes të gjitha thëniet e prokurorit dhe konsideroj që kërkesa është e pabazuar”, tha ai.
Gjyqtari Bujar Ahmeti, pas shqyrtimit të kërkesës, vendosi ta refuzojë shtyrjen e seancës. Duke i dhënë mundësin që të njëjtit të konsultohen për një pauzë 10 minutëshe.
“Pas vlerësimit të propozimit të mbrojtësit të të pandehurit si dhe pas dëgjimit të palëve të tjera prezent, si dhe duke marrë parasysh faktin që mbrojtësi i të akuzuarit Granit Vokshi është pajisur me shkresa të lëndës, në anën tjetër seanca e datës 17.11.2025 është shtyrë mbi bazën e kësaj. Përveç kësaj, nga vetë pohimet e palëve gjykata vërteton se prokurori ka përmbushur detyrimet. Gjykata merr këtë vendim: refuzohet propozimi i avokatit dhe seanca do të mbahet. Gjykata merr parasysh që jemi në seancë të shqyrtimit fillestar, ua mundëson mbrojtësit dhe të pandehurit që në një afat deri në 10 minuta të konsultohen jashtë sallës së gjykatës”, tha ai.
Më pas, prokurori i shtetit lexoi aktakuzën e ngritur ndaj të pandehurve.
I pandehuri Besart Kelmendi u deklarua “Jo, nuk e pranoj fajësinë”, tha ai.
Ndërsa i pandehuri Behar Çelaj deklaroi po ashtu “Jo, nuk e pranoj fajësinë”, tha ai.

