Seanca për vrasjen e kushëririt në Dumnicë, i akuzuari: “Ai ishte trafikant armësh ilegale, njeri problematik”
Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, në Departamentin e Krimeve të Rënda, po vazhdon seanca gjyqësore lidhur me vrasjen e ndodhur në vitin 2023 në Dumnicë të Podujevës.
Para trupit gjykues po dëshmon i akuzuari Besnik Salihu, i cili ngarkohet për vrasjen e Salih Salihut, kushëririt të tij. Gjatë seancës, Salihu ka rrëfyer në detaje marrëdhënien e tij me viktimën, duke theksuar se e kishte njohur shumë mirë. “I kemi pas shpijat afër dhe prindi im të ndjerin Salih e ka pas djalë të mixhës. Deri pas luftës s’kam pas kontakt me të pasi nuk kam qenë i preferuari i tij. Pas luftës mu afruan, e kam njoftë shumë, shumë mirë. E kam njohur karakterin e tij, aftësitë e tij, shoqërinë e tij e po ashtu edhe biznesin e tij. Mosmarrëveshje personale jo, por një moment e pash fytyrën e tij të vërtetë dhe u largova nga ai”, tha ai.
Ai vazhdoi me përshkrimin e karakterit të viktimës, duke përdorur akuza të rënda. “E kam njohur si person problematik me të kaluar kriminale. Si trafikant i armëve ilegale, dashakeq, ngucakeq dhe shumë i rrezikshëm pas shpinës. Me një fjalë, njeri dyfytyrësh”, tha ai. Në vijim, i akuzuari përshkroi edhe çastet e ditës kur ndodhi vrasja.
“Erdh Salihu me veturën e tij Passat ngjyrë të gjelbër, dhe shkoi livadhe përpjetë, pjesën nga kufini, me shpejtësi të ngutshme. Unë kam qenë pas shtëpisë ku i kemi lënë drutë bashkë me babain tim,” shtoi ai. Duke folur për kontaktet e fundit me viktimën, ai tha: “Përshëndetje me të nuk kam pas që nga viti 2012, vetëm e kam pa nga distanca. Rreth orës 18:00 dola me pi një kafe pasi u ndal rryma brenda dhe kanë qenë disa rreze të lehta të diellit dhe dola të shijoja atë moment”.
Ai shtoi se ditën kritike nuk kishte bërë asgjë të jashtëzakonshme. “Atë ditë gjithë ditën kam shiku TV dhe kam ndejt në rrjetet sociale”, theksoi ai. Në fund të dëshmisë, Salihu pretendoi se akuzat ndaj tij janë motivuar nga inate personale dhe interesa të botës së krimit.
“Më kanë akuzu mu, parantezisht jam që një kohë prapa grilave. Është inati i fëmijëve të Salihut dhe motrës së Salihut pasi i kam dekonspiruar. Për të gjithë familjarët që i kem të përbashkët në gjithë fshatin, ju kam tregu që është mirë të largohen nga ta, pasi mund t’ju shtin llugave ose bizneseve ilegale dhe mund të përfundojnë në burg ose vrasje. Është edhe inati politik, pasi njerëz nga bota e krimit e kanë kuptuar se unë e kam zbuluar hierarkinë e krimit të organizuar në Kosovë dhe ata nuk ndiheshin të sigurt në bizneset e tyre kriminale, dhe kështu e kanë shfrytëzuar pozitën e tyre”.
Ndërkohë sipas aktakuzës së prokurorisë, e cila është ngritur më 26.01.2024, Besnik Salihu akuzohet për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, kurse vëllai i tij akuzohet si i kishte dhënë ndihmë Besnikut për ta kryer veprën penale.
Tutje, sipas dosjes, Besnik Salihu më 26.03.2023 në fshatin Dumnicë të Podujevës, pas një mosmarrëveshje mes tij dhe viktimës në mënyrë dinake papritur i është afruar të ndjerit për ta privuar nga jeta. Me të afruar afër tij, sipas Prokurorisë, Besnik Salihu e kishte qëlluar dy herë me pistoletë në kokë viktimën. Pasi ka qëlluar dy herë në kokë të ndjerin, Besnik Salihu ishte larguar nga vendi i ngjarjes./IndeksOnline/

