Nis protesta e Trafikut Urban para Komunës së Prishtinës
Sikurse edhe ditëve tjera punëtorët e transportit publik në Prishtinë edhe sot do të protestojnë, ndërsa kërkesa e tyre mbetet ekzekutimi i pagave, në mënyrë që të kthehen në punë.
Ismet Haliti, sekretar i Shoqatës së Sektorit Privat të Autobusëve, u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse për bartjen e mjeteve që t’i alokojnë ato sa më shpejt.
“Më së keqi kanë mbetur qytetarët pa transport; ata janë duke e vuajtur më së shumti. Sa më shpejt të dalin mjetet, aq më shpejt fillon transporti”, tha ai.

Para disa minutave përmes një njofitmi për media Komuna e Prishtinës ka njoftuar se se mjetet financiare ende nuk janë bartur nga Ministria e Financave në buxhetin e komunës.
‘’Ju njoftojmë se më 27 nëntor 2025, Asambleja komunale e Prishtinës ka miratuar vendimin për bartjen e mjeteve buxhetore nga viti 2024. Megjithatë, deri sot, më 02 dhjetor 2025, mjetet financiare ende nuk janë bartur nga Ministria e Financave në buxhetin e Komunës së Prishtinës’’, thuhet në njoftimin e komunës.
Që një javë, në kryeqytet nuk kanë qarkulluar autobusët e transportit publik, ndaj banorët e Prishtinës janë detyruar të gjejnë zgjidhje alternative./Indeksonline/

