75 Mall Live Search
10:41 / E Martë, 02 Dhjetor 2025 / P M

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës: Ministria e Financave nuk i ka alokuar mjetet, është dashur të punonin edhe në vikend

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Shkëmb Manaj, ka thënë se janë në pritje që Ministria e Financave t’i alokojë mjetet financiare të Komunës së Prishtinës në mënyrë që të zhbllokohet edhe shërbimi me “Trafikun urban” në kryeqytet.

Manaj ka theksuar se kanë informacione se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e ka aprovuar seancën e Asamblesë së Komunës së Prishtinës që u mbajt me 27 nëntor si të ligjshme, por që gjithçka ka ngecur tek Ministria e Financave.

“Komuna e Prishtinës e ka organizuar seancën e jashtëzakonshme dhe kjo seancë ka rezultuar me nxjerrjen e vendimit për bartjen e të hyrave vetanake. Ne kemi dorëzuar qysh atë ditë do të thotë menjëherë pas seancës, pas gjysmë ore e kemi dërguar lëndën edhe në Ministrinë e Pushtetit lokal dhe Ministrisë së Financave. Deri sot ky proces nuk ka përfunduar nga Ministria e FInancve hde presim që sa më shpejt t’i alokojnë mjetet. Në bazë të informacioneve që kemi Ministria e Pushtetit Lokal e ka aprovuar seancën si të ligjshme dhe e ka kthy konfirmimin e ligjshmërisë, ndërsa tashti pritet nga Ministria e Financave që t’i alokojë mjetet”, tha ai.

Manaj nuk e sheh të arsyeshme këtë vonesë.

“Ne mendojmë që ata sot ose nesër më së largu të alokojnë buxhetin e Komunës së Prishtinës sepse nuk ka asnjë arsye që të vonohet. Në bazë të vlerësimit tonë ata është dashtë të punojnë dhe të premten dhe gjatë vikendit në mënyrë që Trafiku Urban të funksionojë dhe qytetarët ta kenë këtë shërbim”, u shpreh Manaj.