Dushko Arsiq i akuzuari për krime lufte, sillet para gjykatës me pranga në duar
Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka nisur sot seanca gjyqësore ndaj të pandehurit Dushko Arsiq, i akuzuar për krime lufte të kryera në fshatin Butovc gjatë periudhës janar–qershor 1999.
Arsiq, i cili më herët është dënuar nga kjo gjykatë me 13 vjet burgim, është sjell në sallën e gjyqit me pranga në duar, nën masa të rrepta sigurie.
Sipas aktakuzës së prokurorisë, Arsiq dyshohet se ka qenë pjesë e një grupi të armatosur që ka kryer plagosje dhe vrasje të civilëve shqiptarë. Në mesin e viktimave përmendet edhe i ndjeri Brahim Shala, i cili sipas dosjes është vrarë me armë automatike. Më pas, grupi dyshohet se ka urdhëruar Artan Krasniqin, atëkohë vetëm 15 vjeç, që të bartte trupin e pajetë të Shalës.
Seanca e sotme pritet të hedhë dritë mbi rrethanat e krimeve për të cilat akuzohet Arsiq dhe do të vazhdojë me dëshmitë dhe provat e paraqitura nga prokuroria.
Sot do të dëshmojnë dy dëshmitarë, Sylë Krasniqi dhe Artan Krasniqi. /IndeksOnline/

