75 Mall Live Search
23:19 / E Martë, 02 Dhjetor 2025 / MSH

NBC: Putin s’do ta pranojë planin e Trump

Vladimir Putin ka refuzuar planin amerikan –evropian, për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Kjo është ajo çfarë raporton media amerikane NBC News, e cila shkruan se takimi 4 orësh i kreut të Kremlinit me të dërguarin amerikan, Steve Witkoff, dhe dhëndrin e presidentit Trump, Jared Kushner, nuk solli suksesin që pritej.

Presidenti rus, Vladimir Putin, sipas medias amerikane ka refuzuar ndaljen e konfliktit në vijat e frontit, duke kërkuar që Ukraina të dorëzojë menjëherë rajonin e Donbas të përbërë nga Donetsku dhe Luhansku.

Moska ka refuzuar sipas NBC News gjithashtu edhe planin e përditësuar për reduktim të ushtrisë ukrainase. Plani amerikan parashikonte reduktimin e ushtrisë së Kievit nga 900 mijë trupa ushtarak në 600 mijë, por kjo shifër u rrit në 800 mijë për shkak të kërkesës evropiane dhe ukrainase mbi planin amerikan.

NBC News shkruan se pika e tretë e mosarritjes së dakordësisë mes palëve mbetet kërkesa e Moskës që kërkon që Evropa dhe Shtetet e Bashkuara ti njohin Rusisë sovranitetin mbi territoret e pushtuara të Ukrainës.

Axios raporton se Kushner dhe Witkoff do te takohen pas vizitës së tij në Moskë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në një shtet të papërcaktuar.

Zhvillimet e rëndësishme vijnë ndersa Putin deklaroi pasditen e kësaj të marte se Evropa po tentonte të bllokonte planin e paqes ndërsa shtoi se Perëndimi po kërkon lufte kundër Moskës.

Putin paralajmëroi se Rusia është gati për lufte kundër Evropës ndërsa përdori një retorike të rreme duke thënë se është Perëndimi ai që kërkon të sulmojë vendin e tij.

Teksa bisedimet mbaheshin në Moskë, Zelensky deklaroi se nuk duhet të bëhen lojëra pas shpinës së Ukrainës.