75 Mall Live Search
08:55 / E Mërkurë, 03 Dhjetor 2025 / MSH

SPERTK-ja kërkon financim të pavarur për RTK-në

Sindikata e Punëtorëve të RTK-së i është drejtuar legjislaturën së re të kuvendit, me kërkesën që të sigurojë financimin e pavarur dhe të qëndrueshëm, për transmetuesin publik.

Nëpërmjet në letre, SPERTK-ja ka thënë se miratimi i Ligjit të ri për RTK-në është urgjent, shkruan IndeksOnline.

“RTK-ja prej 26 vjetësh funksionon në pasiguri të vazhdueshme. Në vitin 2021, nga buxheti i saj u shkëputën edhe 2.2 milionë euro, duke e lënë transmetuesin publik me financimin më të ulët në rajon. Kjo gjendje është e padrejtë për punëtorët dhe e dëmshme për shërbimin publik”, thuhet në letrën e Sindikatës.

Kjo është letra e plotë:

Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK) i drejtohet legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës me kërkesën që të sigurojë më në fund financimin e pavarur dhe të qëndrueshëm për transmetuesin publik. Modelet e financimit ekzistojnë dhe miratimi i Ligjit të ri për RTK-në është urgjent, po ashtu edhe ndërtimi i pronës së re të institucionit.

RTK-ja prej 26 vjetësh funksionon në pasiguri të vazhdueshme. Në vitin 2021, nga buxheti i saj u shkëputën edhe 2.2 milionë euro, duke e lënë transmetuesin publik me financimin më të ulët në rajon. Kjo gjendje është e padrejtë për punëtorët dhe e dëmshme për shërbimin publik.

SPERTK kërkon që:

• Para miratimit të buxhetit nacional, për RTK-në të vendoset rritja 0.7% në përputhje me rritjen vjetore të buxhetit të shtetit.

• Të miratohet ligji i ri që garanton financim të pavarur dhe funksionim normal të institucionit.

• Të fillojë procesi i ndërtimit të objektit të ri të RTK-së, i vonuar prej shumë vjetësh.

SPERTK-ja do t’i paraqesë legjislaturës së re dhe organeve të ardhshme drejtuese kërkesat për rritje pagash dhe avancim të kontratës kolektive. Ne do të presim deri në formimin e plotë të kuvendit, bordit dhe menaxhmentit. Nëse këto çështje – veçanërisht rritja e menjëhershme e pagave – nuk trajtohen, SPERTK-ja do të nisë masat sindikale pa vonesë.

Rikujtojmë se RTK-ja aktualisht funksionon pa bord, pa drejtor të përgjithshëm, pa kryeredaktor dhe me shumë pozita të mbajtura nga ushtrues detyre. Për këtë arsye, është e domosdoshme që legjislatura e re dhe bordi i ardhshëm të shqyrtojnë me kujdes çdo kontratë dhe çdo shpenzim të buxhetit të RTK-së.

RTK-ja është pasuri publike. Stabiliteti i saj është interes i qytetarëve dhe detyrim i institucioneve. SPERTK-ja do të vazhdojë të mbrojë punëtorët dhe të kërkojë kushte të drejta e të qëndrueshme për ta.