Lyon përfshihet në një skandal të ri financiar me Botafogon
Olympique Lyonnais po përballet me një krizë të re financiare, pas zbulimit të një serie “transfertash fantazmë” të realizuara mes klubit francez dhe skuadrës braziliane, Botafogo, gjatë periudhës së drejtimit të John Textor.
Bëhet fjalë për disa marrëveshje transferimesh të nënshkruara në letër, por që nuk u regjistruan kurrë zyrtarisht dhe asnjë prej lojtarëve të përmendur nuk mbërriti asnjëherë në Lyon, shkruan IndeksOnline.
Sipas të dhënave të publikuara, Lyon kishte përfituar likuiditete përmes skemës së “affacturage”, ku klubit i avancone para në këmbim të të ardhurave të ardhshme nga këto transferta.
Shuma totale që klubi mori arrin deri në rreth 100 milionë euro, edhe pse lojtarët nuk u bënë pjesë e ekipit dhe marrëveshjet nuk u finalizuan nga organet zyrtare të futbollit.
Tani, kompanitë financiare që avancuan fondet po kërkojnë kthimin e tyre, duke e vendosur OL-në përballë një situate të ndërlikuar dhe të rrezikshme. Një prej rasteve më të theksuara është ai i Igor Jesus, për të cilin ishte nënshkruar një marrëveshje prej mbi 40 milionë eurosh, e cila kurrë nuk u zyrtarizua.
Drejtuesit aktualë të klubit francez kanë nisur një audit të plotë për të sqaruar përgjegjësitë dhe për të përcaktuar se cilat detyrime i takojnë OL-it dhe cilat pjesëve të tjera të grupit Eagle Football, që menaxhon si Lyonin ashtu edhe Botafogo-n.
Situata ka hapur sërish debatin mbi funksionimin e modeleve të klubeve “multi-owner”, ku transferta të brendshme mes klubeve të së njëjtës pronësi mund të përdoren për operacione financiare të dyshimta.
Kriza vjen në një moment delikat për OL, që tashmë ka raportuar humbje të mëdha financiare sezonale dhe kërkon stabilizim ekonomik.
Nëse nuk arrihet një marrëveshje me institucionet financiare, klubi rrezikon të përballet me pasoja të rënda, të cilat mund të prekin edhe merkaton dhe planet sportive të sezonit të ardhshëm./IndeksOnline/

