75 Mall Live Search
18:16 / E Mërkurë, 03 Dhjetor 2025 / S Z

Haxhiu kritikon Avokatin e Popullit për Listën Serbe: Reagim i çuditshëm përveçse i padrejtë

Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj deklaratës së Avokatit të Popullit lidhur me moscertifikimin e Listës Serbe nga KQZ. Ajo ka cilësuar këtë reagim të çuditshëm dhe të padrejtë.

“Avokati i Popullit duhet ta përfaqësojë më drejt emrin që mban. Kësaj radhe ky institucion paska reaguar për moscertifikimin e Listës Serbe. Reagim i çuditshëm përveçse i padrejtë”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka kritikuar se si është e mundur që një subjekt si Lista Serbe, “që lufton rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, nuk e njeh Kosovën, e ka pasur nënkryetar kryekriminelin Radojçiq dhe nuk është distancuar nga akti terrorist në Banjskë”, të mbrohet me kaq lehtësi nga Avokati i Popullit.
“Jo vetëm që nuk është distancuar, por ka mbajtur tre ditë zie për terroristët e vrarë aty,” ka theksuar ajo.

Haxhiu ka shtuar se Avokati i Popullit nuk ka reaguar për vështirësitë që, sipas saj, po u shkaktohen votuesve të mërgatës.

“Avokati i Popullit nuk ka shfaqur asnjë shqetësim për tendencat e vazhdueshme dhe vendimet që po vështirësojnë votimin e mërgatës sonë,” ka deklaruar ajo.

Sipas Haxhiut, vendimi i KQZ-së “nuk është kundër subjekteve serbe dhe as qytetarëve serb”, duke theksuar se “KQZ tashmë ka certifikuar disa subjekte serbe”. Ajo theksoi se arsyet për moscertifikimin e Listës Serbe “janë të njohura dhe të justifikuara”.

Mes tjerash, Haxhiu ka akuzuar institucionin e Avokatit të Popullit për selektivitet.
“IAP nuk duhet të funksionojë me standarde të dyfishta. Ky lloj selektiviteti bie ndesh me parimet e transparencës dhe paanshmërisë që IAP duhet t’i mbrojë,” ka përfunduar ajo.