Kurti: Kemi bërë përpjekje të mëdha që drejtësia sociale, barazia dhe përfshirja të mos jenë vetëm aspirata, por politika konkret
Në teatrin “Muharrem Qena” në jug të Mitrovicës, u mbajt shfaqja teatrale “Kulturë pa barriera”, në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara.
Para fillimit të shfaqjes, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pati një fjali rasti ku shprehu se “Kulturë pa barriera”, e cila u realizua me pasion, me përkushtim, nga personat me aftësi të kufizuara, nga artistë shqiptarë, serbë e boshnjakë, është një shembull i gjallë i asaj çka mund të arrijmë si vend kur nuk i ndajmë njerëzit në kategori, por i bashkojmë me vlera.
“Në këto katër vite, si Qeveri kemi bërë përpjekje të mëdha që drejtësia sociale, barazia dhe përfshirja të mos jenë vetëm aspirata, por politika konkrete. Gjatë gati 5 viteve të qeverisjes sonë, unë si kryeministër, bashkë me kolegët e mi të kabinetit qeveritar, e kemi vendosur si prioritet jo vetëm që të japim mbështetjen e duhur financiare personave me aftësi të kufizuara, por edhe që të kontribuojmë në një riorientim mbarëshoqëror në mënyrën se si ata perceptohen dhe trajtohen nga të tjerët”, tha kryeministri.
Ai shtoi se si qeveri jemi udhëhequr gjithmonë nga parimi që të gjithë qytetarët duhet të konsiderohen njëjtë dhe të kenë mundësi të barabarta.
“Nga ky këndvështrim, personat me aftësi të kufizuara nuk duhet të shihen si viktima apo përfitues pasivë të ndihmave. Përkundrazi, ata duhet të respektohen si kontribues dhe pjesëmarrës aktivë në të gjitha sferat e jetës sociale, kulturore dhe ekonomike të vendit tonë. Shteti e ka për detyrë që t’i ndihmojë ata jo vetëm që të mbijetojnë, por edhe të jetojnë, në kuptimin e plotë të fjalës”, u shpreh kryeministri.
Ndër iniciativat e ndërmarra nga qeveria në këtë mandat, përmendi mbështetjen shtetërore të dinjitetshme për Komitetin Paralimpik dhe Olimpiadën Speciale; krijimin e më shumë mundësive për aktivitet sportiv vendor e ndërkombëtar për sportistët me aftësi të kufizuara; ofrimin e trajnimeve në punë dhe mbështetje në punësim për 239 persona me aftësi të kufizuara 120 prej të cilëve janë gra e vajza; ndarjen e 70 bursa universitare për studentët me aftësi të kufizuara; punësimin e 422 asistentëve për fëmijë me nevoja të veçanta nëpër shkollat e Kosovës; dhe së fundmi rritjen e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara.
“Të dashur artistë që me padurim presim që t’ju ndjekim, ju falënderoj nga zemra. Me talentin, energjinë dhe guximin tuaj, na kujtoni se çfarë është e rëndësishme në këtë vend: njerëzit dhe dinjiteti, bashkëjetesa dhe ëndrrat. Ju jeni shembulli më i mirë se Kosova është më e fortë kur bashkëpunojmë e bashkë krijojmë. Dhe unë jam krenar për këtë rrugë që po e ndjekim. Shfaqja e sontme është thirrje për të mos lënë askënd mbrapa. Për të mos harruar se secili njeri në këtë vend ka vend, sepse ka të drejta dhe liri, ka rol dhe ka vlerë”, përmbylli fjalën e tij kryeministri.

