75 Mall Live Search
22:21 / E Mërkurë, 03 Dhjetor 2025 / S Z

Analistët: Mos-certifikimi i Listës Serbe nga KQZ, me pasoja për vendin

Debati mbi vendimin e KQZ-së për mos-certifikimin e Listës Serbe po shkakton reagime të shumta, si në nivel vendor ashtu edhe ndërkombëtar. Në emisionin RTKPrime u diskutuan dy zhvillime kyçe që po ndikojnë në klimën politike: situata në Këshillin Prokurorial dhe shqetësimet lidhur me respektimin e parimeve demokratike dhe të drejtave politike pas vendimit të KQZ-së.

Gëzim Shala, hulumtues i Institutit  të Kosovës për Drejtësi, lidhur me mos-certifikimin e Listës Serben nga ana e KQZ-së tha se në rast se i referohemi jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe parimeve të ndërtuara nga ana e Komisionit të Venecias aty shihet se ka një sërë procedurash që mund të realizohet shpërbërja e një partie politike në mënyrë që të pengohet kandidimi në zgjedhje, sepse, shtoi ai, kandidimi në zgjedhje është thelbi i angazhmit të një  partie politike.

“Veprimet individuale të anëtarëve të një partie, të cilët nuk kanë funksionuar zyrtarisht, përmes asaj partie, nuk mund t’i mvishet asaj partie, si subjekt politik, por duhet t’i mvishet individit”, tha Shala.

Ai shtoi se në rastin konkret bëhet fjalë për shkeljen bazike të ligjit për zgjedhje të përgjithshme. “Ligji për zgjedhje të përgjithshme përcakton se subjektet që janë të regjistruara, ku hyn edhe Lista Serbe, certifikohen automatikisht”.

Shala tutje, shtoi se mbledhja në KQZ ishte skenar i përsëritur për të tretën herë, teksa reagimin e LVV-së ai e konsideron si fushatë politike, sepse, shtoi ai, dihet se cili do të jetë epilogu juridik.

“Megjithatë, moslejimi i një partie për të marrë pjesë në zgjedhje është një çështje që prek themelet e demokracisë”, tha Shala.

 Edhe Ardian Bajraktari, jurist, vlerësoi se mos-certifikimi i Listës Serben nga ana e KQZ-së është për qëllime elektorale, që, sipas tij, është e dëmshme për të tashmen dhe të ardhmen e vendit, sepse vendi mund të marrë minuse në ecjen përpara në respektimin e të drejtave të njeriut.

“Prandaj kemi këto reagime të ashpra nga ndërkombëtarët, sepse në instancë të fundit janë në shpërputhje me dispozitat ligjore”, tha Bajraktari.

Ndërkaq Liridon Salihi, nga GLSP, ishte në sinkron me analistët tjerë lidhur me mos-certifikimin e Listës Serbe. Ai tha se e drejta e parive politike për të marrë pjesë në zgjedhje është e garantuar me Kushtetutën e Kosovës, që, sipas tij është tejet e rëndësishme që të respektohet.

“Në asnjë moment, asnjë parti politike shqiptare, përfshirë këtu edhe Vetëvendosjen, nuk duhet t’i vënë në pikëpyetje marrëdhëniet tona me BE-së dhe me SHBA-në”, tha Salihi, teksa kujtoi reagimin e ambasadës së SHBA-së.