Murati: Depozitat e familjeve kosovare arrijnë rekord prej 4.69 miliardë euro
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se kursimet dhe depozitat e familjeve kosovare në bankat komerciale kanë arritur nivelin rekord prej 4.69 miliardë euro në fund të muajit tetor.
Ai theksoi se sipas të dhënave të BQK-së, gjatë pesë viteve të fundit këto depozita janë rritur me 2.12 miliardë euro, apo 82.5%, krahasuar me 2.57 miliardë euro sa ishin në tetorin e vitit 2019.
“Kur faktet çmontojnë propagandën. Depozitat dhe kursimet e familjeve kosovare në banka në fund të muajit tetor kanë arritur 4.69 miliardë euro. Sipas të dhënave zyrtare nga seritë kohore në faqen e BQK-së, depozitat dhe kursimet nëpër banka të familjeve në Kosovë kanë shënuar rekord me 4.69 miliardë euro. Kjo përbën një rritje prej 2.12 miliardë euro, apo 82.5%, krahasuar me muajin tetor para 5 viteve kur depozitat dhe kursimet e familjeve në Kosovë ishin 2.57 miliardë euro. Sa për krahasim, në periudhën 5 vjeçare para Qeverisë Kurti, depozitat dhe kurismet e familjeve kishin shënuar rritje prej vetëm 745 milionë eurove, apo 40.8%. Pra në periudhën 2020-2025, rritja e parave në banka (depozita/kursime) për familjet në Kosovë ka qenë më se 2-fish më e shpejtë sesa rritja e parave në banka përgjatë 5-vjeçarit të qeverisjeve të kaluara (82.5% vs 40.8%)”, ka shkruar Murati.

