Elezi: Janë regjistruar rreth 50 mijë votues nga diaspora, afati mbyllet të shtunën
Valmir Elezi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se që nga 26 nëntori deri më 4 dhjetor deri në ora 14:00 janë pranuar më shumë se 55,600 aplikime për regjistrim për votim jashtë Kosovës.
Po ashtu është bërë e ditur se nga 55 mijë e 600 aplikime janë aprovuar mbi 48,600, ndërkaq janë refuzuar mbi 6,400.
Më tutje është bërë e ditur se në vlerësim e sipër janë rreth 500 aplikime.
Elezi po ashtu ka thënë se nga numri i përgjithshëm i aplikuesve të aprovuar, pjesa më e madhe janë regjistruar për të votuar përmes postës, rreth 35,000 prej tyre, për të dërguar pakon me fletëvotim në ndonjërën nga adresat e kutive postare jashtë Kosovës dhe më shumë se 1,600 të tjerë për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.
Ndërkaq, mbi 12,000 shtetas janë regjistruar për të votuar fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike./Indeksonline/

