75 Mall Live Search
17:25 / E Enjte, 04 Dhjetor 2025 / Z S

Kurti: Ka progres në luftimin e krimit të organizuar

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë sot në takimet rajonale të Njësive për Inteligjencë Financiare, të organizuara nga Egmont Group dhe të mbështetura nga GIZ në Kosovë.

Në fjalën e tij para pjesëmarrësve, Kurti shprehu mirënjohjen e institucioneve të Kosovës ndaj organizatorëve për nismat e ndërmarra dhe kontributin në mbajtjen e ngjarjeve të rëndësishme që forcojnë bashkëpunimin rajonal kundër aktiviteteve të paligjshme financiare.

“Organizimi i kësaj ngjarjeje është në përputhje të plotë me programin tonë qeveritar dhe synimet për integrim evropian dhe ndërkombëtar. Synimi ynë është forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe vendor për të koordinuar përgjigjen e të gjithë akterëve në luftimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Bashkë po punojmë që të rrisim efektivitetin kolektiv në parandalimin, identifikimin dhe luftimin e krimit ekonomik”, u shpreh ai.

Ai theksoi se përafrimi i objektivave dhe përpjekjeve të institucioneve vendore me ato ndërkombëtare është thelbësor për identifikimin më të saktë të kërcënimeve dhe dobësive sistematike, si dhe për forcimin e mekanizmave efektivë në adresimin e tyre.

Kurti rikujtoi se raportet ndërkombëtare vazhdojnë të dëshmojnë progresin e Kosovës në fushën e luftimit të korrupsionit, pastrimit të parave dhe krimit të organizuar.

Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën nënvizon përparimin në luftën kundër pastrimit të parave, ndërsa Transparency International ka vlerësuar progresin në luftimin e korrupsionit gjatë viteve të fundit. Po ashtu, Indeksi Global i Krimit të Organizuar ka renditur Kosovën në mesin e vendeve me nivelin më të ulët të krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor, ndërsa Iniciativa Globale kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar në edicionin e vitit 2025 e vlerëson Kosovën si shtetin me kriminalitetin më të ulët në rajon.

“Kosova ka bërë progres të konsiderueshëm duke forcuar kornizën ligjore dhe institucionale, me qëllim të përmbushjes së standardeve evropiane dhe ndërkombëtare në luftimin e këtyre dukurive. Kjo qasje forcon bashkëpunimin, kohezionin dhe koordinimin mes institucioneve tona. Njësia për Inteligjencë Financiare e Republikës së Kosovës ka performuar mirë dhe ka shënuar rezultate të kënaqshme në identifikimin dhe gjurmimin e të ardhurave të paligjshme. Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet plotësisht e përkushtuar në mbështetjen e NJIF dhe autoriteteve tjera në luftimin e aktiviteteve kriminale”, theksoi Kurti.

Takimet rajonale të NJIF-ve shërbejnë si platformë për shkëmbimin e përvojave, forcimin e bashkëpunimit ndër-shtetëror dhe përmirësimin e mekanizmave të përbashkët për parandalimin e kërcënimeve financiare në rajon./Indeksonline/