Gërvalla në Vjenë: Heqje të masave ndaj Kosovës dhe drejtësi për sulmin në Banjskë
Ministrja e Jashtme në detyrë, Donika Gërvalla, njoftoi se ka marrë pjesë në takimin ministror “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” në Vjenë, ku ka theksuar nevojën për masa konkrete ndaj Serbisë pas sulmit në Banjskë dhe heqjen e masave të vendosura ndaj Kosovës.
Ajo ka thesuar rëndësinë e veprimit të drejtë ndaj sulmit dhe autorëve të tij.
“Masat e padrejta ndaj Kosovës duhet të hiqen. Sulmi agresor dhe paramilitar në Banjskë duhet të ketë pasoja reale për Serbinë dhe organizatorët e tij, përfshirë Millan Radoiçiqin që duhet të dalë para drejtësisë në Kosovë,” ka thënë Gërvalla.
Ministrja në detyrë ka ngriur gjithashtu çështjen e trajtimit të qytetarëve kosovarë në kufi, duke vënë në pah se trajtimi poshtërues i qytetarëve të Republikës së Kosovës në kufi me Serbinë, nga ndalesat pa arsye deri te arrestimet arbitrare nga autoritetet serbe, bien ndesh me parimet evropiane dhe me standardet minimale të respektimit të të drejtave të njeriut dhe lëvizjes së lirë.
Gërvalla ka theksuar gjithashtu dialogu me Serbinë ka kuptim vetëm nëse përfundon me njohje të ndërsjellë.
“Në kuadër të takimit ministror “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” në Vjenë, mora pjesë me ftesë të Ministres Federale për Punë Evropiane dhe Ndërkombëtare të Austrisë, Beate Meinl-Reisinger, në prani edhe të Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ku theksova se dialogu me Serbinë ka kuptim vetëm nëse përfundon me njohje të ndërsjellë ndërmjet dy shteteve”, ka shkruar ajo në Facebook.
Mes tjerash Gërvalla ka potencuar se siguria dhe perspektiva evropiane e Kosovës nuk mund të trajtohen të ndara.
“Kosova e ka dëshmuar në praktikë se ku qëndron në raport me vlerat euroatlantike. Tani mbetet që Bashkimi Evropian ta përkthejë këtë realitet në hapa konkretë në procesin e zgjerimit”, ka deklaruar ajo.

