75 Mall Live Search
19:07 / E Premte, 05 Dhjetor 2025 / F.R

Rektori i UBT-së zhvilloi vizitë zyrtare në Texas me ftesë të Sam Houston State University

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, realizoi një vizitë zyrtare në Texas me ftesë të Sam Houston State University (SHSU), në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve dhe angazhimit të përbashkët për avancimin e bashkëpunimit akademik dhe kërkimor.

Gjatë vizitës, Rektori Hajrizi zhvilloi një sërë takimesh me drejtues akademikë, institucione kërkimore dhe personalitete të komunitetit shqiptar në SHBA, ku u diskutuan mundësitë për zgjerimin e shkëmbimeve studimore, projekteve të përbashkëta dhe iniciativave strategjike në fusha me interes të përbashkët.

Në delegacion morën pjesë edhe përfaqësues nga universitete partnere të rajonit: Rektori, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, dhe Kryetari i Senatit të UT, Prof. Dr. Kenan Ferati, si dhe përfaqësues të Universitetit të Tiranës. Pjesëmarrja e tyre shtoi edhe më shumë peshën e dimensionit ndër-universitar rajonal, duke e bërë vizitën një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të urave të reja të bashkëpunimit.

Vizitat në infrastrukturën e Universitetit ishin një tjetër pjesë e rëndësishme e programit, ku Rektori Hajrizi vizitoi Fakultetin e Biznesit, të Infermierisë, të Mjekësisë dhe një numër njësish të tjera akademike të SHSU-së. Këto vizita shërbyen për të parë nga afër standardet e larta akademike dhe laboratorike të institucionit, duke identifikuar mundësi konkrete për bashkëpunim dhe shkëmbime profesionale.

Gjatë qëndrimit, Rektori Hajrizi zhvilloi një takim të rëndësishëm me Major Gjeneral David P. Glaser, të cilin UBT e ka nderuar me çmimin më të lartë institucional. Në këtë takim u diskutua për mundësitë e bashkëpunimeve të mëtejshme në fushat e sigurisë, lidershipit dhe edukimit profesional, si dhe përfshirja e ekspertëve nga të dy institucionet në projekte të përbashkëta trajnimi dhe hulumtimi.

Po ashtu, u mbajt takimi me Dekanen e Fakultetit të Administrimit të Biznesit, Dr. Sharmistha (Shar) Self, e cila ishte organizatorja kryesore e vizitës, së bashku me Alban Fetahun – ish-student i SHSU-së dhe nismëtar i këtij partneriteti të rëndësishëm.

Rektori u prit gjithashtu nga dekanët e fakulteteve të Kriminologjisë, Shkencave, Teknologjisë Inxhinierike, Shkencave të Shëndetit dhe Shkencave Humane, me të cilët u shkëmbyen ide mbi programet akademike dhe mundësitë për projekte të përbashkëta kërkimore.

Një moment i veçantë i vizitës ishte takimi me Presidenten e SHSU-së, Dr. Alisa White, dhe Provost-in, Dr. Sumanth Yenduri, ku u diskutua thellimi i bashkëpunimit institucional, zhvillimi i programeve të përbashkëta studimore dhe krijimi i mundësive konkrete për studentët e UBT-së. Në të gjitha takimet, Rektori Hajrizi prezantoi programet akademike të UBT-së dhe potencialin për zgjerim të bashkëpunimit në fusha të ndryshme, duke u dakorduar që së shpejti të nisin projekte të përbashkëta konkrete.

Në të dy rastet, Rektori Hajrizi prezantoi iniciativën për krijimin e qendrës për studime amerikane në UBT dhe të studimeve shqiptare në Texas, e cila u prit shumë mirë nga të gjithë.

Programi përfshiu edhe vizita në institucione të rëndësishme edukative dhe shkolla të zonës së Houston-it, si dhe një vizitë në NASA Headquarters dhe muzeun e tyre, ku u diskutua për mundësinë e përfshirjes së studentëve të UBT-së në aktivitete dhe programe edukative ndërkombëtare.

Një nga aktivitetet më të rëndësishme të vizitës ishte pjesëmarrja në eventin akademik dhe kulturor të SHSU-së, “Bridge-Building Event: Strengthening Partnerships with the Albanian Community”, ku u diskutua për perspektivat e reja të bashkëpunimit afatgjatë dhe për angazhimin e mëtejshëm me komunitetin shqiptar në SHBA.

Në këtë event morën pjesë përfaqësues të komunitetit shqiptaro-amerikan nga Houston dhe Dallas, si dhe Ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, z. Ilir Dugolli, të cilët e mirëpritën me shumë entuziazëm iniciativën e bashkëpunimit dhe shprehën gatishmërinë për të mbështetur studentët shqiptarë me bursa dhe mundësi të tjera akademike.

Falë kësaj qasjeje bashkëpunuese, studentët e UBT-së potencialisht do të kenë mundësinë të përfitojnë bursa në studime në Sam Houston State University, si dhe të marrin pjesë në programe të përbashkëta studimore dhe kërkimore.

Më 2 dhjetor në mbrëmje, Rektori Hajrizi ishte i ftuar të marrë pjesë në ceremoninë e ndezjes së dritave të qytetit Crown në Texas, të organizuar nga Kryetari dhe Zv. Kryetari i qytetit. Për këtë ngjarje, u zgjodh z. Joe Haliti, anëtar i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe kontribues i jashtëzakonshëm në jetën e komunitetit, i cili këtë vit u shpall “Personaliteti i Vitit” në rajon. Në këtë ceremoni, Rektori Hajrizi mbajti një fjalim gjatë darkës, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve të rrethit, komunitetit shqiptar, përfaqësues të universiteteve shqiptare dhe të Sam Houston State University, duke forcuar edhe më shumë lidhjet midis komunitetit dhe institucioneve akademike.

Kjo vizitë nënvizon përkushtimin e UBT-së për të forcuar rrjetin e partneriteteve ndërkombëtare dhe për të krijuar mundësi të reja për zhvillimin akademik, shkencor dhe profesional të studentëve dhe stafit të universitetit.