Alban Skënderaj e dridhi Prishtinën në natën e parë të koncertit
Prishtina u mbush me energji, emocion dhe muzikë mbrëmjen e djeshme, teksa Alban Skënderaj hapi natën e parë të koncertit të tij madhështor.
Atmosfera ishte e jashtëzakonshme që nga minuta e parë, me publikun që mbushi sallën dhe e shoqëroi artistin në çdo këngë, shkruan Indeksonline.
Alban Skënderaj solli një performancë të fuqishme dhe të përgatitur deri në detajin më të vogël, duke e kthyer skenën në një spektakël të vërtetë.
Pjesë e këtij suksesi ishin edhe bashkëpunëtorët dhe miqtë e tij më të afërt të skenës, të cilët i dhanë ngjyrë dhe ritëm koncertit.
Në skenë u ngjitën Ledri Vula, Capital T, Lumi B, Elinel, të cilët ndezën publikun me hitet e përbashkëta dhe energjinë karakteristike. Po ashtu, produksionin muzikor e pasuroi edhe Elgit Doda, i njohur për bashkëpunimet e shumta me Albanin dhe suksese të njëpasnjëshme në muzikë.


Një nga momentet më të veçanta të natës ishte edhe dalja në skenë e Miriam Canit, bashkëshortja dhe partnerja e pandashme artistike e Albanit. Dyshja performoi disa nga baladat e tyre më të dashura, duke emocionuar publikun me një atmosferë të ngrohtë.

Nata e parë e koncertit përfundoi me duartrokitje të fuqishme, duke lënë pas një energji që vetëm muzika e mirë mund ta krijojë.
Prishtina vërtet u “dridh”, dhe publiku tashmë pret me padurim vazhdimin e netëve të tjera të këtij spektakli të shumëpritur./Indeksonline/

