Grabitën nën ndikimin e narkotikëve një dyqan në Durrës, arrestohen dy persona
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës, bazuar në informacionet e siguruara nga puna gjurmuese dhe hetimore për zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë, identifikimin dhe kapjen e autorëve, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Ndikimi”.
Në kuadër të operacionit u bë kapja dhe arrestimi, për veprat penale vjedhja e kryer në bashkëpunim dhe prodhimi dhe shitja e narkotikëve i shtetasve A. GJ. (20) dhe E. XH. (22), banues në lagjen nr. 18 – Durrës, raporton KosovaPress.
Këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur në një dyqan në pronësi të shtetasit Sh. K., banues në Arapaj, dhe ishin larguar me një automjet që drejtohej nga shtetasi A. GJ.
Në momentin e kapjes, shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, sendet e vjedhura në market, por edhe sende të tjera të vjedhura në automjete dhe dyqane ditë më parë.
Gjithashtu, gjatë kontrollit fizik, shtetasit E. Xh. iu gjet një sasi e vogël lënde narkotike, kanabis, për të cilën, nga veprimet hetimore, dyshohet se merrej edhe me shpërndarjen e saj.
Njëkohësisht, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe automjeti me të cilin këta shtetas lëviznin për të kryer vjedhje, tre telefona, një kaçavidë, doreza dhe rrobat e përdorura gjatë vjedhjeve, si dhe një sasi të parave.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

