KQZ-ja miraton vendimin e disenjit dhe përmbajtjes së fletëvotimit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar disenjin dhe përmbajtjen e fletëvotimit që do të përdoret në vendvotime brenda vendit në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen, më 28 dhjetor 2025.
Pas vendimit, kryesuesi i KQZ-së Kreshnik Radoniqi tha se ndaj këtij vendimi mund të ushtrohet ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Vendimi i KQZ-së vjen pas tërheqjes së shortit për renditjen e subjekteve politike në këtë fletëvotim. Fletëvotimi përmban 24 subjektet politike pjesëmarrëse në këtë proces zgjedhor, prej të cilave, 18 parti politike, 3 koalicione, 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.
Në mbledhjen e kaluar, KQZ-ja ka miratuar fletëvotimin për votimin jashtë Kosovës, i cili është i njëjtë, si në përmbajtje, ashtu edhe në disenj.


