75 Mall Live Search
18:20 / E Hënë, 08 Dhjetor 2025 / B XH

Shembet rruga e re Shëngjin-Velipojë, rrëshqitja e dherave krijon probleme pranë fshatit Rrjoll

Për shkak të rrëshqitjes së dherave, trasa e rrugës ka pësuar çarje në një gjatësi të konsiderueshme dhe rrezikon shembjen e plotë në rrugën Shëngjin–Velipojë, pranë fshatit Rrjoll.

Pas problematikës së krijuar, është bllokuar një krah i lëvizjes në zonën ku janë konstatuar rrëshqitjet e dherave, pasi paraqet rrezikshmëri për drejtuesit e automjeteve. Kompania që ka ndërtuar këtë segment rrugor ka vendosur barriera betoni dhe sinjalistikë në një gjatësi prej 50 metrash, në vendin ku ka ndodhur shembja.

Rruga panoramike Shëngjin–Velipojë u hap për qarkullimin e automjeteve në pranverë të këtij viti. Ky segment rrugor, me gjatësi 15 km, është investim i Qeverisë Shqiptare me vlerë 3.8 milionë euro, duke shkurtuar distancën mes dy zonave turistike.

Sipas të dhënave është kompania ndërtuese ajo që ka detyrim ligjor të ndërhyjë për çdo problematikë që shfaqet deri në harkun kohor prej dy vitesh pas përfundimit të punimeve.