Zelensky: Ukraina e gatshme për zgjedhje, nëse partnerët garantojnë sigurinë
“Ukraina është gati për zgjedhje”.
Kështu deklaroi presidenti Volodymyr Zelensky, pasi Donald Trump përsëriti pretendimet se Kievi po “përdor luftën” për të shmangur mbajtjen e tyre.
Mandati pesëvjeçar i Zelensky-t duhej të përfundonte në maj të vitit 2024, por zgjedhjet janë pezulluar në Ukrainë që kur u shpall gjendja e jashtëzakonshme pas pushtimit të Rusisë, shkruan BBC-i, transmeton IndeksOnline.
Duke folur me gazetarët, pas komenteve të Trumpit, Zelensky tha se do të kërkonte që të hartoheshin propozime që mund të ndryshonin ligjin.
“Zgjedhjet mund të mbahen brenda 60 deri në 90 ditëve të ardhshme, nëse siguria për votimin garantohet me ndihmën e SHBA-së dhe aleatëve të tjerë.
Po kërkoj tani dhe po e deklaroj këtë hapur, që SHBA-ja të na ndihmojë, ndoshta së bashku me kolegët tanë evropianë, për të siguruar sigurinë e zgjedhjeve”, u tha ai gazetarëve.
Ai theksoi se çështja e zgjedhjeve në Ukrainë, varet para së gjithash nga populli.
“Kam dëgjuar aludime se ne po mbahemi fort pas pushtetit, ose se unë personalisht po mbahem fort pas presidencës” dhe “kjo është arsyeja pse lufta nuk po mbaron”, të cilën ai e quajti “sinqerisht, një narrativë krejtësisht e paarsyeshme”.
Zelensky fitoi zgjedhjet në vitin 2019 me më shumë se 73% të votave.
Rusia ka pretenduar vazhdimisht se Zelensky është një udhëheqës i paligjshëm dhe ka kërkuar zgjedhje të reja si kusht për një marrëveshje armëpushimi.

