Shkaktoi aksident rrugor dhe vuajti 75 ditë burgim, profesori italian i arrestuar në Shqipëri martohet në L’Aquila
Michele D’Angelo, pedagog i Universitetit të L’Aquilës dhe i ndaluar për 75 ditë në Shqipëri pas një aksidenti rrugor, kur u akuzua për shkelje të rregullave të qarkullimit dhe braktisje të mjetit, është martuar këtë fundjavë me partneren e tij, Vanessa Castelli.
Ceremonia civile u zhvillua në Palazzetto dei Nobili në L’Aquila dhe u drejtua nga kryebashkiaku Pierluigi Biondi, në prani të familjarëve, miqve dhe kolegëve të çiftit.
Ngjarja vjen pak kohë pasi D’Angelo u lirua me kusht dhe u rikthye në Itali, ku deklaroi se dëshira e tij e parë ishte “të martohej me Vanessën” dhe të rifillonte jetën akademike.
Kryebashkiaku Biondi e cilësoi martesën si një “bashkim me një shije të veçantë”, i lidhur me rikthimin e qetësisë pas muajve të vështirë që pedagogu kaloi larg qytetit. Ai u uroi të sapomartuarve “një jetë të bukur së bashku”, duke nënvizuar mbështetjen e komunitetit dhe të administratës lokale.
Në ceremoni morën pjesë edhe studentë dhe përfaqësues të botës universitare, përfshirë rektorin Fabio Graziosi, të cilët kishin ndjekur nga afër situatën e D’Angelos.
Ndërkohë, në Shqipëri vijojnë procedurat gjyqësore lidhur me ngjarjen e aksidentit, ndërsa pedagogu ka deklaruar gatishmërinë për të bashkëpunuar me autoritetet shqiptare.

