Mbrojtja pa shkresa të lëndës, shtyhet seanca ndaj të akuzuarit për aksidentin ku u lëndua një këmbësor
Me kërkesë të mbrojtësit të të akuzuarit Z.B., avokatit Berat Mavraj, është shtyrë seanca e shqyrtimit fillestar të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Z.B., po akuzohet për veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”.
Avokati Mavraj tha se ende si mbrojtje nuk janë pajisur me shkresa të lëndës dhe tani nuk mund të deklarohen lidhur me aktakuzën, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Lidhur me shkresat e lëndës, pala e dëmtuar- djali i S.P., tha se para tri vitesh ka kërkuar shkresat e lëndës, por që nuk ia kanë ofruar shkresat dhe theksoi se dëshiron përgjigjje nga Prokuroria se pse e kanë larguar personin tjetër nga aktakuza, i cili sipas tij, ka qenë në bashkëveprim me të akuzuarin.
Për këtë, gjykatësi i rastit Eroll Gashi, tha se Gjykata gjykon vetëm në bazë të aktakuzës së ngritur dhe për këtë duhet t’i drejtohet Prokurorisë.
Ndërsa, prokurori i rastit Burim Neziri tha se meqenëse lënda ka kompleksitetin e vet dhe palët nuk janë pajisur me shkresa të lëndës, nuk e kundërshton shtyrjen e seancës.
Sipas aktakuzës të ngritur më datë 27 gusht 2021 të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Z.B., akuzohet se më 30 gusht 2020, në fshatin Prugoc, Komuna e Prishtinës, derisa po drejtonte automjetin, ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për rregullat e trafikut trugor, dhe nga pakujdesia ka rrezikuar trafikun publik dhe ka vënë në rrezik jetën e njerëzve.
Aktakuza thotë se i akuzuari ka tejkaluar shpejtësinë nga zona e kufizimit 80 km/h, ka lëvizur me shpejtësi rreth 100 km/h, duke mos përshtatur shpejtësinë e lëvizjes së automjetit dhe në momentin kur i është paraqitur rreziku nuk ka mund të ndal veturën dhe e godet këmbësorin tani të dëmtuarin S.P., i cili në atë moment ishte duke kaluar rrugën. Me këtë rast, i dëmtuari si pasojë e aksidentit pëson thyerje të shumëfishta të pjesës së sipërme të kërcirit të djathtë, ku si të tilla kualifikohen lëndime të rënda trupore.
Me këtë, Z.B., akuzohet se ka kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik” nga neni 370, par.1 lidhur me par.6 dhe par. 1 të Kodit Penal.

